Koment: Ministri i Brendshëm Horst Seehofer e ka tepruar
Me deklaratat e tij për politikën e migrimit dhe migrantët, ministri Horst Seehofer i ka kaluar kufijtë e lejuar. Ka ardhur koha që t’ thuhet “Ndal”, mendon Zoran Arbutina.
Ky është një mesazh i fuqishëm dhe i qartë. Migracioni identifikohet si problemi kryesor i Gjermanisë. Ndërsa migranti identifikohet shumë qartë si – keqbërës. Në këtë mënyrë identifikohen edhe përgjegjësit – të gjithë ata të cilët kanë lejuar që në vend të futen kaq shumë migrantë – kancelarja Merkel në radhë të parë.
Legjitimimi i urrejtësve të huaj
Ky është një mesazh të cilin e kuptojnë të gjithë urrejtësit e të huajve dhe populistët e djathtë. Ky është një mesazh i të gjithë “qytetarëve të shqetësuar”, të cilët mendojnë se “Gjermania u takon gjermanëve – ndërsa të huajt duhet të largohen nga vendi!”. Kjo nuk është asgjë e re për këto forca, por e reja është që tani këto ide po i mbështet edhe ministri i Brendshëm.
Edhe më i rëndësishëm është mesazhi i dërguar, sepse ajo që deri dje ka qenë pjesë e mesazheve të krahut ekstrem djathtist, tani është futur në retorikën e ministrit të Brendshëm por edhe një pjese të konsiderueshme të votuesve. Ndaj nuk është kurrfarë befasie që shefi i Alternativës për Gjermani (AfD) Alexander Gauland shprehet shumë i kënaqur: “Seehofer ka në analizën e tij plotësisht të drejtë.” Në projektin e partisë së tij parashikohet ndryshimi rrënjësor i shoqërisë, ndërsa ministri ka bërë tani një hap në drejtim të kësaj politike: Horst Seehofer e ka hapur derën e kësaj politike edhe në mesin politik të shoqërisë gjermane.
Migrantët e padëshiruar!
Mesazhin e tij e kanë kuptuar edhe migrantët. Pavarësisht nëse kanë lindur këtu, jetojnë këtu me dekada, apo kanë ardhur kohët e fundit. Pavarësisht nëse janë integruar mirë apo jo. Migrantët jo vetëm që paraqiten si “Problem”, por janë “Nëna e të gjitha problemeve”. Migrantët si të tillë stigmatizohen dhe përjashtohen nga shoqërisa. Sepse këtu nuk bëhet kurrfarë dallimi mes migrantëve të “mirë” dhe të “këqinj”.
Natyrisht që në Gjermani nuk ka tendencë pogromash ndaj të huajve. Natyrisht që nuk do të prishen as miqësitë mes gjermanëve dhe shtetasve gjermanë me origjinë të huaj që këtu jetojnë me dhjetëra vite. Por e gjitha fillon me një retorikë. Armiqësitë ushqehen ndërsa njerëzit ndahen në “ne” dhe “ata”, e “ata” konsiderohet natyrisht fajtorë edhe pse nuk dihet se pse janë fajtorë.
Përçarjet e shoqërisë
Pikërisht kjo është metoda për përçarjen e shoqërisë që duan populistët e djathtë dhe nacionalistët. E tani mbështetet nga një karrige qeveritare. Ajo që deri dje është përbuzur, sot është një pozitë e mbështetur – kjo mbase mund të thuhet.
Seehoferi me deklaratat e tij nuk ka mbështetur vetëm krahun e djathtë politik. Ai e futë kësht populizmin, armiqësinë ndaj të huajve dhe armiqësinë ndaj pjesëtarëve të fesë islame mu në mesin politik të shoqërisë. Seehoferi po luan me zjarr, për të mundur më pas të profilohet si zjarrfikës.
Fitues është…?
Këtu nuk ka aq shumë rëndësi se a e mbështet Horst Seehoferi edhe personalisht këtë ide, apo e ka thjesht për qëllime politike-taktike para zgjedhjeve në landin e Bavarisë. Pavarësisht nga shkaqet, ai po rrezikon ndezjen e një zjarri, përhapja e të cilit mund të ketë pasoja të paparashikueshme për një vend i cili ka punuar me dekada të tëra për të krijuar një shoqëri tolerante mes njerëzve.
Në fund nuk do të jetë fare me rëndësi nëse AfD do të vijë në pushtet apo jo, sepse politika e tyre po përhapet dhe në fund mund të fitojë. Nëse fituesi në fund quhet Gauland apo Seehofer dhe si quhet partia që do të fitojë zgjedhjet, është e parëndësishme. Ndaj ka ardhur vërtet koha e fundit që të thuhet – Zoti Seehofer, kështu nuk shkon!/Zoran Arbutina, DW
Frasion.com