Grupi i PS përjashton Gjetan Gjetanin. Balla: Propozimi i Bashës për vetting, i dështuar
Java ka nisur në gjirin e Partisë Socialiste me një votim nga grupi parlamentar, që unanimisht i ka hapur rrugën përjashtimit të deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, i cili pak ditë më parë shprehu “revoltën” kundër policisë për shkak të numrit të lartë të vrasjeve në zonën e tij elektorale.
Pas kësaj, socialistët nën drejtimin e kreut të Grupit Parlamentar, Tualant Balla kanë diskutuar edhe propozimin e rivalit të tyre nga PD, Lulzim Basha për vettingun në politikë.
Veta Balla e ka cilësuar nismën e kreut të PD, si propagandë politike, që është e destinuar të dështojë.
“Propozimi i Bashës është i dështuar dhe vetë propagandë politike. Ky propozim është si t’i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Ne jemi gati për vetting të vërtetë dhe reforma në drejtësi e garanton 100 % atë”, është shprehur Balla.
Kreu i Grupit të PS mësohet të ketë thënë gjithashtu se janë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK, dy institucionet që do të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi, ato që garantojnë plotësisht vettingun e politikanëve.
“Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Jemi gati për çdo propozim që s’prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vettingut për gjyqtarët e prokurorët”, ka thënë ndër të tjera Balla.
Fraksion.com