Caplan: Ndryshimi i negociuar i kufijve mund të normalizojë raportet Kosovë-Serbi
Ndryshimi i negociuar i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se një veprim i tillë do të normalizonte raportet midis dyja vendeve.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, Richard Caplan.
“Luftërat që shkatërruan ish-Jugosllavinë në fillim të viteve të 90-ta u zhvilluan mbi bazën e ndryshimit të kufijve, duke filluar nga Sllovenia dhe Kroacia me kërkesat e tyre që te jenë shtete të pavarura. Megjithatë, këto kanë qenë ndryshime të njëanshme të cilat nuk u pranuan nga autoritetet Federale dhe dy Republikat tjera, Serbia dhe Mali i Zi. Këto ndryshime kufijsh u sfiduan në baza diplomatike, ligjore, politike dhe natyrisht ushtarake”.
“Sot, dallimi me situatën midis Kosovës dhe Serbisë është se ndryshimi i kufijve që po shqyrtohet, do të ishte një ndryshim i negociuar dhe rrjedhimisht paqësor. Ndryshimet konsensuale janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe se një ndryshim i tillë është arritur edhe gjetiu, si për shembull, shpërbërja e Çekosllovakisë, në dy shtete: Çekinë dhe Sllovakinë më 1993. Ndryshimet konsensuale të kufirit u diskutuan (por pa sukses) edhe në konferencën për Jugosllavinë më 1991”, ka thënë ai.
Fraksion.com