AktualitetRajoniTë fundit

Merkel në Maqedoni: Më 30 shtator vendosni për të ardhmen tuaj

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoni. Një gjeneratë ka vetëm një herë këtë rast historik, të vendosë për të ardhmen, tha ajo duke iu referuar referendumit.

    
Kancelarja Merkel u shpreh në Shkup se për të është një gëzim i veçantë, pasi vizita po realizohet në ditën e Pavarësisë së Maqedonisë dhe në 27 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Mes Gjermanisë dhe Maqedonisë ekzistojnë marrëdhënie miqsore, intensive dhe të sukseshme. Në Gjermani jeton një numër i konsiderueshëm i banorëve të Maqedonisë që paraqesin urë lidhëse mes dy vendeve, theksoi kancelarja Merkel.

Intensifikim i bashkëpunimit ekonomik

“Këmbimi tregtar mes Gjermanisë dhe Maqedonisë ka arritur në vlerë 3.5 miliadë dollarë, ne do të vazhdojmë të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik. Do të ndihmojmë edhe në formimin e komitetit të përbashkët, i cili do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik dhe do të delegojmë një këshilltar në kabinetin e kryeministrit”, është shprehur Merkel.

Mazedonien Besuch Kanzlerin Merkel und Premierminister Zoran Zaev (Reuters/O. Teofilovski)

Më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të vendosin në një referendum për ardhmërinë dhe perspektivën evropiane, për këtë duhet shumë punë por kushti është referendumi i sukseshëm ka thënë kancelarja Merkel. “Një gjeneratë ka vetëm një herë këtë rast historik, të vendosë për të ardhmen. Andaj unë dua tju them mos rrini në shtëpi në këtë ditë historike, por dilni dhe thoni vendimin tuaj për të ardhmen e vendit tuaj”, ka porositur Merkel.

Kancelarja gjermane ka theksuar edhe përkrahjen e Bullgarisë për të shtyrë proceset euro-integruese në Ballkanin Perendimor. Ajo gjithashtu ka folur edhe për Procesin e Berlinit, i cili ka mundësuar intensifikimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit dhe përgatitjen e tyre për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

Mazedonien Besuch Kanzlerin Merkel und Premierminister Zoran Zaev (picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski)

Gjatë qëndrimit në Shkup, kancelarja gjermane Angela Merkel nuk është takuar me presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov, ndërsa ka realizuar takim me kryetarin e opozitës, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, të cilit ia ka dhënë të njëjtat sugjerime për pritshmëritë e referendumit, që presin ndërkombëtarët.

Referendumi i suksesshëm i mundëson Maqedonisë anëtarësimin në NATO dhe BE

Në pyetjen e gazetarëve se nëse dështon referendumi a mund të ketë izolim të Maqedonisë nga ana e Brukselit, Merkel përgjigjet se ndërkombëtarët nuk kërcënojnë, por vetëm tregojnë faktin se ardhmëria e vendit varet nga suksesi i referendumit, dhe ka përsëritur edhe një herë se referendumi i suksesshëm i mundëson Maqedonisë anëtarësimin në NATO dhe BE, pa zgjidhjen e kësaj çështjeje Maqedonia nuk mund të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Çdo shtet në NATO dhe BE ka të drejtën e kërkesave të veta që ju duhet t’i plotësoni dhe kjo nuk paraqet kërcënim, por plotësim të kushtit, ka thënë Merkel.

Mazedonien Besuch Kanzlerin Merkel und Premierminister Zoran Zaev (picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski)

Zaev: Asnjëherë nuk ka munguar përkrahja gjermane

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se kjo vizitë është referencë për të kaluarën dhe për të ardhmen e vendit, është një mesazh që na tregon se jemi nisur në rrugën e duhur, është një vizitë domethënëse për synimet e Maqedonisë drejt integrimeve në NATO dhe BE. Kjo vizitë tregon se forcat e mëdha ndërkombëtare mbështesin marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë. Zaev ka thënë se Gjermania është partner kryesor i Maqedonisë në sferën ekonomike.

“Këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Gjermanisë ka arrritur në vlerë 3.6 miliardë dollarë. 47% nga eksporti i përgjithshëm vendor shkon drejt Gjermanisë. Kapitali i investuar gjerman në Maqedoni ka mundësuar hapjen e mbi 20.000 vendeve të reja të punës. Maqedonia vlerëson lartë përkrahjen gjermane në synimet e saj drejt euro-integrimeve”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev./DW

 

Fraksion.com