AktualitetTë fundit

Veliaj: Teatri i Ri Kombëtar sipas një drafti të dakordësuar me BE

Teatri i Ri Kombëtar do të ndërtohet sipas një drafti të dakordësuar me BE dhe i mbështetur mbi një proces transparent. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka siguruar se Tirana do të ketë një Teatër të Ri Kombëtar, ashtu siç në këto 3 vite ka pasur një Shesh të ri, një Pazar të ri, parqe e shkolla të reja.

Ai inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi”, ku edhe u shpreh se procesi për ndërtimin e Teatrit të Ri do të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë.

“Një gjë është e sigurt: një Tiranë që ka Amfiteatër të ri, që ka Shesh të ri, që ka Pazar të ri, Park të ri Olimpik, që ka shkolla të reja, sigurisht që do të ketë edhe Teatër të Ri. Ne nuk mund të stonojmë në një fushë dhe të shkëlqejmë në të gjitha fushat e tjera. Kështu që, nuk ka asnjë dyshim që ne do të kemi një teatër të ri! Në fazën ku jemi, kemi një diskutim të hapur ditor edhe me miqtë dhe dashamirësit e Tiranës në Komisionin Europian, për të mbërritur në një draft, i cili sigurisht kënaq shumicën dërrmuese të popullsisë së Tiranës dhe të Shqipërisë, që do një Teatër të ri. Por, sigurisht u heq alibinë, ankesat, sebepet për sherr, edhe asaj minorance që do të bllokojë zhvillimin e Tiranës. Dhe besoj në një draft të dakordësuar me Komisionin Europian. Ne shumë shpejt do të kemi bazën ligjore të nevojshme, procesin e nevojshëm transparent dhe të hapur për të gjithë, dhe në fund fare një Teatër të Ri për Tiranën”, deklaroi Veliaj.

Duke u ndalur te punimet që po realizohen për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi”, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se falë miradministrimit të buxhetit, ky është investimi më i madh që nga ndërtimi i kësaj shkolle.

“Shkolla “Çajupi” është një nga shkollat me investimet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës. Është një investim i arritur falë miradministrimit të fondeve të bashkisë, pasi nuk ishte në radhë për këtë vit, por për vitin tjetër. Pikërisht se arritëm të mblidhnim të ardhura, falë edhe miradministrimit, në shkollën “Çajupi” po bëjmë investimin më të madh që ka parë shkolla që nga ndërtimi i saj”, tha Veliaj, teksa theksoi se falë kësaj ndërhyrje, një tjetër shkollë në kryeqytet shpëton nga mësimi me dy turne.

“Shkolla është ndërtuar nga e para, i kemi shtuar disa pjesë, të cilat na kanë dhënë 9 klasa të reja, duke mënjanuar sot e mot klasat me dy turne. I kemi shtuar një palestër të re dhe sigurisht, edhe terrenet sportive dhe laboratorët. Ndaj, më vjen mirë që edhe një tjetër shkollë shpëton nga makthi, stresi dhe ngarkesa e klasave me dy turne, madje ka edhe hapësirë që të akomodojë rritjen demografike të zonës në të ardhmen”, nënvizoi ai.

Ndërtimi i shkollave të reja dhe krijimi i hapësirave të reja në shkollat ekzistuese ka krijuar mundësi për uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa. Për të mos pasur mbipopullim të klasave, Veliaj iu drejtua me një apel edhe prindërve, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre që të regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt. “Thirrja për të gjithë prindërit është: “mos i stresoni drejtoreshat”, mos fusni mik, nuk ka fare nevojë për gjëra të tilla. Ka nevojë që secili të ketë një shkollë që e ka pranë shtëpisë, dhe që mundësisht mund të shkojë në këmbë, pa na e shtuar trafikun, me biçikletë ose me transport publik.  Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë lider në bursat për nxënësit ekselentë. Qëllimi final është të kemi vajza dhe djem të shkëlqyer për Tiranën, gjë që mund ta arrijmë nëse edhe prindërit bashkëpunojnë që t’i lehtësojmë shkollat nga kjo trysni”, tha Veliaj.

 

Fraksion.com