AktualitetBota+Të fundit

Publikohet deklarata e përbashkët nga samiti trepalësh për Sirinë

Liderët e Turqisë, Iranit dhe Rusisë që morën pjesë në samitin trepalësh për Sirinë të mbajtur në kryeqytetin iranian, Teheran, përmes një deklarate të përbashkët përfundimtare që u publikua pas samitit theksuan se kriza në Siri nuk mund të zgjidhet ushtarakisht, por përmes procesit politik.

Në deklaratë u njoftua se tre liderët, Recep Tayyip Erdoğan, Hasan Ruhani dhe Vladimir Putin kanë diskutuar zhvillimet që ndodhën në Siri pas samitit të dytë trepalësh të mbajtur më 4 prill të këtij viti në Ankara.

Sipas deklaratës, liderët kanë përshëndetur suksesin e formatit të bisedimeve të Astanas që nga janari i vitit 2017 dhe veçanërisht përparimin e arritur për uljen e dhunës në Siri dhe kontributin për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në këtë vend.

“Ata theksuan zotimin e vazhdueshëm dhe të fuqishëm për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Republikës Arabe të Sirisë dhe për qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe nënvizua nevoja që këto të respektohen nga të gjitha palët”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, liderët kanë refuzuar të gjitha përpjekjet për krijimin e realiteteve të reja në terren nën petkun e luftës kundër terrorizmit, duke theksuar vendosmërinë për të kundërshtuar agjendat separatiste që shënjestrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe kanë për qëllim dobësimin e sigurisë kombëtare të shteteve fqinje.

Deklarata përfundimtare thekson se liderët kanë rënë dakord për të diskutuar gjendjen në zonën e deeskalimit të Idlibit në kuadër të këtyre parimeve, në përputhje me frymën e bashkëpunimit e cila definon formatin e bisedimeve të Astanas.

– Lufta kundër terrorizmit

Liderët po ashtu kanë konfirmuar vendosmërinë “për ta vazhduar bashkëpunimin me qëllim të asgjësimit të plotë të grupeve DEASH, Fronti Nusra dhe Al Kaeda, të definuara si organizata terroriste nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose të të gjithë individëve, grupeve, iniciativave dhe subjekteve të tjera të lidhura me DEASH-in”.

“(Liderët) Nënvizuan se në luftën kundër terrorizmit, dallimi i grupeve të armatosura opozitare që i janë bashkangjitur apo do t’i bashkangjiten armëpushimit nga grupet terroriste të lartëpërmendura, ka rëndësi të madhe, përfshirë edhe për parandalimin e viktimave civile”, theksohet në deklaratë.

– Zgjidhja politike

Tre liderët kanë riafirmuar bindjen se kriza në Siri nuk mund të zgjidhet ushtarakisht, por vetëm përmes një procesi politik të negociuar.

Tri vendet kanë konfirmuar vendosmërinë për të vazhduar bashkëpunimin aktiv për avancimin e procesit politik në përputhje me vendimet e Kongresit të Dialogut Kombëtar të Sirisë të organizuar në Soçi të Rusisë dhe rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Ata përsëritën vendosmërinë për t’i vazhduar përpjekjet e përbashkëta për avancimin e procesit për arritjen e një zgjidhjeje politike nën kyresimin dhe mikpritjen e sirianëve dhe u zotuan të ndihmojnë fillimin e punimeve për themelimin e Komitetit Kushtetues”, theksohet më tej.

– Normalizimi i jetës

Në zotimin e përbashkët të liderëve, është theksuar nevoja për mbështetjen e të gjitha përpjekjeve që sirianët t’i kthehen një jete normale dhe të qetë dhe për lehtësimin e vuajtjeve të tyre.

Në këtë drejtim, organizatave ndërkombëtare me në krye OKB-në, u është bërë thirrje për të dërguar ndihma humanitare shtesë, për të lehtësuar aktivitetet për pastrimin e minave, për të rikthyer në gjendjen e mëparshme infrastrukturën themelore, përfshirë objektetet sociale dhe ekonomike, dhe për të mbrojtur trashëgiminë historike.

– Kthimi i sirianëve

Tre liderët kanë nënvizuar nevojën për krijimin e kushteve të nevojshme për kthimin e sigurtë dhe vullnetar të refugjatëve dhe të të zhvendosurve brenda Sirisë në vendbanimet e tyre.

Për këtë qëllim, u theksua nevoja për koordinim mes të gjitha palëve, përfshirë UNHCR-në dhe organizatat e tjera eksperte ndërkombëtare.

“U arrit dakord që të vlerësohet ideja për një konferencë ndërkombëtare në lidhje me refugjatët sirianë dhe personat e zhvendosur brenda vendit”, thuhet në deklaratë.

– Lirimi i të burgosurve

Në deklaratën e përbashkët, është përshëndetur avancimi i aktiviteteve të Grupit Punues që funksionon me pjesëmarrje të ekspertëve të OKB-së dhe Komitetit të Kryqyt të Kuq Ndërkombëtar (ICRC) për lirimin e të burgosurve, dorëzimin e kufomave dhe identifikimin e personave të humbur.

Deklarata njoftoi se samiti i ardhshëm trepalësh do të mbahet në Rusi.

Ndryshe, samiti i parë trepalësh u mbajt në qytetin e Soçit në Rusi më 22 nëntor të vitit 2017, ndërsa takimi i dytë u mbajt në mikëpritjen e presidentit Erdoğan më 4 prill të këtij viti në kryeqytetin turk Ankara.

Në të dy samitet ishte theksuar vendosmëria për integritetin territorial të Sirisë dhe luftën e përbashkët kundër terrorizmit./AA

 

Fraksion.com