AktualitetRajoniTë fundit

Kancelari Kurz viziton Shkupin

Kancelari austriak Sebastian Kurz po qëndron në Shkup ku po përpiqet të bindë kundërshtarët e ndryshimit të emrit të Maqedonisë se vetëm me ndryshimin ky vend do të mund të integrohet në BE.

Ai tha se BE-ja do të jetë e tërë vetëm kur të integrohet i gjithë Ballkani Perëndimor.

Zoti Kurz e përshëndeti kompromisin e arritur midis qeverive të Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të dalin në mënyrë masive të votojnë pozitivisht në referendumin e tridhjetë shtatorit.

“Bashkimi Evropian do të jetë i tërë vetëm atëherë kur në të do të integrohet Ballkani Perëndimor. Për Maqedoninë, zgjidhja e problemit të emrit paraqet mundësi të madhe për të arritur një dinamikë por dhe për të gjithë rajonin”, tha Kancelari Kurz.

“Kjo është zgjedhje e secilit qytetar veç e veç, por si mik i vendit tuaj mendoj se do të ishte mirë nëse ka një dalje të madhe në referendum”, shtoi ai.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se Maqedonia është një shembull i mirë për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

“Për ne është nxitje që Austria e njohu shpresën e Maqedonisë për në Evropë. Vizita juaj paraqet një mesazh të fuqishëm të kthimit të Maqedonisë në rrugën e drejtë, në rrugën evropiane”, – tha zoti Zaev me bindje se bashkëvendësit e tij do të votojnë për të ardhmen e shtetit të tyre.

Ndërkohë, Kancelari Kurz foli edhe për marrëdhëniet ekonomie, duke theksuar se vendi i tij është investitori numër një në Maqedoni.

Kurz po takohet edhe me drejtuesin opozitar maqedonas dhe me drejtues të tjerë politik.

Autoritetet maqedonase gjatë pritjes së Kancelarit Sebastian Kurz, vendi i të cilit është kryesues i radhës me BE-në, kishin bërë një lëshim protokollar duke ngatërruar flamurin austriak me atë të Letonisë, për çka pastaj kërkuan falje.

 

Fraksion.com