SportTë fundit

Nis Nations League, Gjermania përballë kampioneve të botës

Kompeticioni më i ri i UEFA nis sot në mënyrën më të mirë të mundshëm. Në Mynih do të vihen përballë 2 kampionet e fundit të botës, Gjermania dhe Franca që do të luajnë sfidën e tyre të parë të Grupit 1 të Ligës A të eventit.

Gjermanët e Joachim Loew të konfirmuar në pankinë, do të kërkojnë të harrojnë zhgënjimin e madh të Botërorit të Rusisë e sidomos polemikat e shpërthyera nga cështja Ozil dhe të rihapin një cikël të ri.

Një detyrë kjo e vështirë pasi përballë kanë Francën e Didier Deschamps, një prej skuadrave me moshën më të re mesatare të kompeticionit dhe që do të kërkojë të konfirmohet pas triumfit në Kupën e Botës.

Me nisjen e këtij kompeticioni, Gjermania ka vendosur të bëjë ndryshim si në skuadër ashtu edhe në sistemin e lojës. Joakim Loew ka grumbulluar në skuadër disa futbollistë që në 2017 ishin pjesë e skuadrës së U21 mes të cilëve është edhe Sane i Manchester City që nuk u grumbullua në Botërorin e Rusisë.

Për sa i përket Francës, nuk ka ndryshime, pasi Deschamps ka grumbulluar të gjithë lojtarët që ishin të pranishëm në Botëror me përjashtim të portierit Lloris që është i dëmtuar. trajneri francez do të besojë sërish te cilësitë e Pogba, shpejtësisë së Mbappe dhe te Griezmann që pas një sezoni të pasur me suksese nuk e ka fshehur ambicien e tij për të fituar Topin e Artë.

Përveç ndeshjeve të Nations League, sot luhen edhe 3 ndeshje miqësore ku spikat ajo mes Portugalisë dhe Kroacisë, me kampionët e Evropës që nuk do të kenë në dispozicion kapitenin e tyre Cristiano Ronaldon në këtë përballje me nën kampionët e botës./Tch

 

Fraksion.com