Basha: Elbasani, simbol i bashkëqeverisjes me krimin
Edhe seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, opozita e bojkotoi duke organizuar një mbledhje në qytetin e Elbasanit, nga ku kryetari i PD e quajti si simbolin e bashkëqeverisjes me krimin.
Basha tha se situata është shumë e rëndë, ndërsa opozita do të marrë vendime të rëndësishme. “Shqipëria po destabilizohet nga krimi sepse krimi po sundon Shqipërinë. Kryeministri ja ka dorëzuar kontrollin e vendit kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të krimit, nga Fatmir Xhafaj të Taulant Balla. Elbasani është dhe gjeneza e bashkëqeverisjes me krimin. Xibrika, fabrika e kokainës, është çengeli kriminal që mban të varur Edi Ramës, përmes pjesëmarrjes së vëllait të kryeministrit Olsi Rama. Faktet e përfshirjes së tij janë fshehur në një mënyrë kriminale nga Saimir Tahiri dhe vazhdojnë të mbetet të fshehura nga Xhafaj. Kjo është arsyeja pse sabotohet komisioni hetimor. Sepse faktet tronditëse që do të dalin nga hetimi parlamentar, që bashkëveprimi i Edi Ramës me krimin në Elbasan ngriti çengelin e krimit nga ku varet tani e 5 vite më parë Edi Rama”, tha Basha.
Më tej, kreu i PD theksoi se “prej 5 vitesh, rruga Tiranë-Elbasan nuk përfundon, madje ka gëlltitur për pjesët e mbetura më shumë para se segmentet e përfunduara dhe kjo ka ndodhur për shkak të vjedhjeve që janë bërë”.
“Kjo sepse nënkontraktori është mik familjar i Taulant Ballës, Edmond Bego. Marrëdhënia e Taulant Ballës me Edmond Begon është një hesap që rëndon në xhepat e shqiptarëve. Falë marrëdhënies së këtyre të dyve janë zhdukur miliona euro dhe nuk përfundon ky aks rrugor”, tha Basha.
Basha tha se opozita është duke punuar për një platformë që do te jetë një rrugëdalje nga situata e krijuar.
“Sot nga Elbasani i japim formë platformës së opozitës dhe do të nisim punën për konsultimeve me qytetarët për ta kthyer këtë platformë në një alternativë që do ta parashtrojnë si rrugëdalje nga bashkëqeverisja me krimin që ka përfshirë vendin”, tha kreu i PD.
Fraksion.com