AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi: Mund të shkoj në shtëpi por nuk pranoj republikë serbe në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se korrigjimi i kufirit e shpëton Kosovën nga ndarja, shkëmbimi i territoreve dhe nga themelimi i një Republike serbe.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me idetë për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Presidenti Thaçi tha se ai asnjëherë nuk ka folur për ndarje të vendit apo shkëmbim të territorit, por, të korrigjimit të padrejtësive që kanë ndodhur nëpër vite.

Korrigjimi i kufijve e shpëton Kosovën nga ndarja, shkëmbimi dhe themelimi i Republikës serbe. Për mua më e rrezikshme është Republika serbe se sa korrigjimi i kufirit. Korrigjimi është fitore e madhe për Republikën e Kosovës. Republika serbe është defunksionalizimi i plotë i Republikës së Kosovës. Edhe me miq ndërkombëtarë që propozojnë Republikë serbe unë nuk pajtohem dhe nuk do të lejojë diçka të tillë të ndodhë, kushdo që të jetë, unë mund të shkoj në shtëpi por diçka të tillë nuk pranoj”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëmbim të territoreve apo një asociacion komunash me fuqi ekzekutive.

Këto ditë kam dëgjuar ide të ndryshme prej partive të ndryshme dhe individë të ndryshëm të institucioneve të Kosovës, që me të vërtetë kanë qenë shqetësuese, por e ritheksoj, nuk do të lejojmë as diskutim për ndarje, nuk do të lejojmë as diskutim për shkëmbim sikurse që nuk do të lejojë asociacion me kompetenca ekzekutive, së paku sa do të udhëheq unë zyrën e presidentit të Kosovës. Pra, në këtë drejtim unë jam për me marrë, e kushdo që dëshiron të jap, është tjetër”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se do të nënshkruaj një marrëveshje me Serbinë vetëm nëse ajo do të jetë në përputhshmëri me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Ai tha se idetë e ndryshme për ndryshimin e kufijve kanë ardhur nga individë të ndryshëm në Kosovë dhe se sipas tij asnjëherë kjo çështje nuk është shtruar në takimet e deritashme.

Unë nuk e di se çka mendon Beogradi, aty ku unë kam qenë ulur si president i Kosovës, kurrë në asnjë rrethanë, askush nuk e ka ngritë idenë as të ndarjes as të shkëmbimit. Kur të flet Beogradi flas edhe unë, por diçka të tillë nuk kam dëgjuar. Unë kam fol vetëm për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dikujt i duket e parealizueshme, unë ju kuptoj, por ja që mua më duket e realizueshme dhe unë besoj që do ta realizoj, sinqerisht besoj dhe jam i bindur”, tha ai duke nënvizuar se do të ishte i gatshëm të heqë dorë nga përgjegjësia në bisedime, nëse do të kishte zgjidhje më të mirë për të ardhmen e Kosovës.

Nëse dikush nga ju ose kushdo që të jetë, më bind si president i vendit ose i bind edhe akterët që janë vendim marrës në botë që mund të lëvizë shteti i Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian pa marrëveshje paqësore, pa marrëveshje për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe Serbia mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane pa marrëveshje paqësore pa fqinjësi të mirë me Kosovën, unë jam i gatshëm jo që të jem pjesë e ekipit të tij negociator, por edhe letrat i mbaj, vetëm le të më bind”, tha presidenti Thaçi.

Ai pritet të takohet të premten në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pak ditë pasi të dy kërkuan mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe “korrigjimin e kufijve”.

Partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë idetë e presidentit Thaçi dhe kanë paralajmëruar rezolutë në parlament kundër tij si dhe protesta për të penguar siç thuhet, idetë e tij që janë sulm mbi shtetësinë e Kosovës.

Ndarjet ndërmjet pushtetit dhe opozitës rreth bisedimeve me Serbinë janë shfaqur ashpër edhe në debatet në parlamentin e Kosovës.

Vuçiç: Prishtina nuk do të bisedojë për asgjë me rëndësi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se zhvillimet e fundit në Prishtinë tregojnë se “zyrtarët shqiptarë nuk duan të flasin as për bashkësinë e komunave serbe, as për veriun e as për Gazivodën…Duket se nuk duan të flasin për asgjë me peshë”, tha ai.

Ai tha se Serbia nuk ka kohë për të humbur dhe dëshiron të bisedojë për të gjitha temat që janë me rëndësi për serbët dhe shqiptarët, ndërsa nënvizoi se është koha që Beogradi dhe Prishtinë të marrin përgjegjësitë në duart e tyre.

“Është koha të vendosim për fatin tonë dhe jo që dikush ta përcaktojë atë nga jashtë”, tha ai.

 

Fraksion.com