Sekretari Pompeo, në Pakistan
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbërriti të mërkurën në Pakistan për takime të nivelit të lartë me udhëheqësit e qeverisë së sapozgjedhur në Islamabad, me qëllimin për të mbështetur marrëdhëniet dypalëshe të cilat ndodhen në pikën më të ulët prej vitit të kaluar.
Duke folur për gazetarët ndërsa udhëtonte drejt Pakistanit, zoti Pompeo tha se misioni i tij është që të dy vendet “të bëjnë përpara së bashku” dhe të tejkalojnë ngërçin e krijuar në marrëdhënien e komplikuar të Islamabadit me Uashingtonin.
Në këtë vizitë zoti Pompeo shoqërohet nga shefi i Shtatmadhorisë Joseph Dunford, gjë që vë theksin tek përpjekjet amerikane kundër terrorizmit.
Delegacioni amerikan do të zhvillojë bisedime zyrtare me ministrin e Jashtëm Shah Mehmood Qureshi dhe stafin e tij.
Zyrtarët thanë për Zërit e Amerikës se delegacioni amerikan, i cili do të qëndrojë në Islamabad për disa orë, ka planifikuar të zhvillojë takime të veçanta me kryeministrin Imran Khan, i cili u betua rreth tre javë më parë dhe me shefin e ushtrisë, gjeneralin Qamar Javed Bajwa.
Pikëpamjet e kundërta prej një kohe të gjatë mbi mënyrën se si duhet të luftohet terrorizmi rajonal dhe si mund t’i jepet fund konfliktit 17-vjeçar vdekjeprurës në Afganistan vazhdojnë të mjegullojnë pritshmëritë rreth vizitës lidhur me tejkalimin e ngërçit në marrëdhëniet mes dy vendeve, pavarësisht aleancës zyrtare në kuadër të koalicionit kundër terrorizmit që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara.
“Kemi nevojë që Pakistani të angazhohet seriozisht për të na ndihmuar të sigurojmë pajtimin që na nevojitet në Afganistan”, tha zoti zoti Pompeo.
Fraksion.com