Shefi i NATO-s vizitë dyditore në Shkup, para Kurz dhe Merkel
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg, do të udhëtojë në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë të mërkurën më 5 dhe të enjten 6 shtator 2018, për një vizitë dy ditore.
Kjo është vizita e dytë në 6 muajt e fundit për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Të gjitha këto vizita bëhen nën kontekstin e referendumit të ardhshëm në vendin fqinj, që do të zhvillohet më 30 shtator, në të cilin do të vendoset miratimi me votë popullore ose jo i marrëveshjes për emrin me Greqinë.
Në Shkup, Stoltenberg do të ketë takime me Presidentin, Gjorge Ivanov, Kryeministrin e vendit Zoran Zaev, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes, znj. Radmila Šekerinska, Kryetarin e Kuvendit z. Talat Xhaferi dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, do të vizitojë edhe fshatin Stajkovci, ku në vitin 2016, ushtarë dhe pajisjet e misionit KFOR të NATO-s, ndihmuan për të pastruar rrugët dhe për të lëvizur mbeturinat pas përmbytjeve shkatërruese.
Në orën 14:30 Sekretari i Përgjithshëm do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Zaev.
Fraksion.com