AktualitetBota+Të fundit

Seanca për konfirmimin e gjykatësit Brett Kavanaugh

Brett Kavanaugh, i emëruar nga Presidenti Donald Trump për në Gjykatën e Lartë amerikane, i tha Senatit se ai do të jetë një arbitër i paanshëm nëse konfirmohet si anëtar i kësaj gjykate.

Në komentet e dorëzuara me shkrim në hapje të seancës së konfirmimit në Senat, zoti Kavanaugh shkruante se një gjyqtar i mirë duhet të jetë një arbitër – një arbitër neutral dhe i paanshëm, i cili nuk favorizon asnjërën palë dhe asnjë politikë.

“Unë nuk vendos për çështjet gjyqësore në bazë të preferencave personale apo politike, nuk jam pro atij që padit apo atij që paditet, por jam një gjyqtar pro ligjit,” shkruante zoti Kavanaugh në deklaratën që përgatitej të mbante para Komisionit.

Por qysh në hapje të seancës, senatorët demokratë u ankuan se Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump nuk po e përfillte kërkesën e tyre për publikimin e qindra mijëra faqeve dokumente që lidhen me punën e zotit Kavanaugh kur ai punonte në Shtëpinë e Bardhë nën presidentin republikan George W. Bush në fillim të viteve 2000, material që ata duan ta përdorin si bazë për t’i bërë pyetje zotit Kavanaugh.

Nëse konfirmohet nga Senati, 53-vjeçari Kavanaugh, i cili aktualisht shërben në Gjykatën e Apelit, do të zëvendësonte gjyqtarin Anthony Kennedy, i cili del në pension. Kennedy është një konservator i moderuar, vota e të cilit ka mbështetur katër liberalët e Gjykatës së Lartë në disa vendime me rëndësi që kanë mbajtur në fuqi të drejtat pro abortit dhe homoseksualëve apo vendimet që favorizojnë pakicat racore në pranimet në universitete.

Por sipas disa analistëve të pavarur, vendimet e zotit Kavanaugh në gjykatën federale të apelit në Uashington tregojnë se ai do të anojë ekuilibrin ideologjik të gjykatës së lartë drejt vendimeve konservatore për vitet që do të vijnë.

Kavanaugh pritet të përballet me pyetje të vështira nga Komisioni i Çështjeve Juridike i Senatit, veçanërisht nga ligjvënësit demokratë. Pyetjet kryesore kanë të bëjnë me atë se si do të vendoste ai kur përpara Gjykatës të shtroheshin sfida të reja ligjore rreth të drejtave të abortit dhe homoseksualëve, si dhe për shkallën e kompetencave të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në hetimin e tij nëse Presidenti Trump ka penguar drejtësinë lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Por Kavanaugh duket se përfundimisht do të konfirmohet nga Senati, ku republikanët kanë një avantazh prej 50 votash kundrejt 49 të demokratëve. Epërsia e tyre do të rritet së shpejti në 51, kur një republikan të emërohet për të zëvendësuar senatorin Xhon Mekein, i cili vdiq më 25 gusht. Asnjë republikan nuk ka thënë se do të votojë kundër zotit Kavanaugh, ndërkohë që asnjë demokrat nuk ka thënë se do të votojë pro, ndonëse një pakicë demokratësh mund ta mbështesin përfundimisht konfirmimin e tij.

Të mërkurën, Kavanaugh do të ballafaqohet me pyetje të drejtpërdrejta mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë qëndrimin e tij mbi abortin, të drejtat e homoseksualëve dhe kompetencat presidenciale.

Demokratët kanë deklaruar se do të luftojnë kundër emërimit të zotit Kavanaugh, me shqetësimin se nëse ai konfirmohet, kjo do t’i jepte Gjykatës së Lartë një kahje të fortë konservatore për të paktën një brez të tërë.

 

Fraksion.com