AktualitetNATO/BETë fundit

Liberalët e Europës të shqetësuar se kontinenti po i afrohet fundit të një epoke

Kancelarja gjermane Angela Merkel po i këshillon ministrat e saj të lexojnë “Të Përhënët: Si shkoi Evropa në luftë më 1914”, një libër që shqyrton shkaqet e Luftës së Parë Botërore dhe dështimet politike që kontribuan në atë katastrofë.

1914-a është ndryshe nga viti 2018-a në shumë aspekte, por ajo që e shqetëson Merkelin dhe të tjerët të hedhin vështrimin nga e kaluara është se periudha para Luftës së Parë Botërore solli shfaqjen e “politikës së njeriut të madh” dhe kërcënimin e nacionalizmit, si dhe avancimin e projekteve nativiste nga udhëheqës të ndryshëm me përpjekjet e tyre për të bashkuar rajone të ndryshme apo për të nxitur valët e shovinizmit publik.

Stabiliteti gjeo-strategjik dhe parashikueshmëria morën fund. Politikanët bënë gabime të mëdha në llogaritë e tyre. Autori i librit “The Sleepwalkers: How Europe Went to War in 1914”, historiani Christopher Munro Clark, thotë: “Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, sistemi i stabilitetit dypolar global i ka hapur rrugën një grupimi më kompleks dhe më të paparashikueshëm të forcave, përfshi rënien e perandorive dhe ardhjeve në pushtet – një situatë që ka ngjashmëri me Evropën e vitit 1914. ”

Krahasimet me vitin 1914 janë përbuzur nga udhëheqësit nativistë të Evropës që akuzojnë kundërshtarët e tyre se janë alarmantë.

Zgjedhja e librit nga kancelarja Merkel flet për frikën e centristëve dhe të liberalëve se rritja e nacionalizmit populist në Evropë, ushqyer nga një krizë migruese e pazgjidhshme, mund të shënojë fundin e mundshëm të një epoke.

Por centristët pro BE-së në continent, të udhëhequr nga Emmanuel Macron i Francës, po përpiqen të rivendosin stabilitetin dhe parashikueshmërinë përballë rritjes së pasigurisë politike dhe të nativizmit. Në kundërshtim me ta është një blloku i udhëheqësve nativistë, me Matteo Salvinin e Italisë në krye, i cili është i zënë me planet e betejës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm. Ata janë kthyer për të marr këshilla nga ish ndihmësi i presidentit Donald Trump, Steve Bannon.

Kampet kundërshtare synojnë ta paraqesin garën e ardhshme elektorale si një moment përcaktues për bllokun shumëkombësh, të goditur nga një krizë migrimi toksike dhe pabarazia ekonomike. Rusia ndërkohë ka ndihmuar në financimin e partive anti-BE-së në të dyja anët e spektrit politik. Në të njëjtën kohë, përtej Atlantikut, presidenti Trump po tregon gjithnjë e më shumë paqartësi për aleancën me bllokun që Uashingtoni ndihmoi të formohej.

Identiteti është në qendër të fushatës së ardhshme zgjedhore dhe përplasja e parë serioze do të vijë në qytetin austriak të Salzburgut, ku krerët e BE-së do të takohen më 19 shtator për një samit dy-ditor për të diskutuar edhe njëherë Brex-itin dhe trajtimin e krizës së imigrantëve si një bllok. Krerët nuk do të pajtohen për dy çështjet kryesore në axhendën zyrtare, duke reflektuar vizionet e tyre të kundërta për Evropën.

Në Salzburg, Macron do të tregojë idetë e tij për reforma dhe rigjallërim të bllokut, duke argumentuar për një integrim më të madh politik dhe ekonomik. Nacionalistët kërkojnë frenimin e integrimit të mëtejshëm si pjesë e vizionit të tyre për të ndryshuar kursin e bllokut për t’u bërë një grupim më i lirë i shteteve kombëtare, të cilat do të ishin më të lirë nga Brukseli dhe më pak të detyruara nga traktatet e BE-së.

Kampionët kryesorë në luftën për kontroll mes liberalizmit dhe nacionalizmit u ndeshën javën e kaluar në një betejë fjalësh, duke dhënë një shije të garës elektorale që do të pasojë. Salvini dhe kryeministri hungarez Viktor Orban nisën një fushatë anti imigracionit, duke e pozicionuar Macronin si kundërshtarin e tyre kryesor. “Aktualisht ka dy kampe në Evropë dhe njëri drejtohet nga Macron,” tha Orban, i cili kërkoi të portretizonte udhëheqësin francez si pro-imigracionit duke argumentuar se ai është “lider i atyre partive që mbështesin migracionin në Evropë dhe në anën tjetër jemi ne që duam të ndalojmë migrimin e paligjshëm “.

Gjatë gjithë javës së kaluar, udhëheqësi francez i dha shtytje ideve të tij për reforma ambicioze, disa prej të cilave mbështeten nga Gjermania, për të nxitur integrimin e BE-së – një antidot siç e sheh ai ndaj asaj që ai e quan demokraci joliberale të Orbanit dhe nacionalistëve të tjerë autokratë që sipas tij, po thjeshtojnë krizën e migrimit për të shtuar zemërimin nativist.

Macron vuri në lojë udhëheqësit nacionalistë që pranojnë ndihmat e zhvillimit nga blloku ndërsa e përçmojnë BE-në. “Nuk do t’u jepja asnjë arsye nacionalistëve dhe atyre që përhapin fjalën e urrejtjes. Nëse duan të më shohin si kundërshtarin kryesor, kanë të drejtë, “tha ai gjatë një udhëtimi në Kopenhagë./VOA

 

Fraksion.com