Kajro, ndalohet personi pranë ambasadës së SHBA
Një egjiptian u arrestua të martën pranë ambasadës së SHBA në Kajro, kur disa lëndë që ndodheshin në çantën e tij të shpinës morën zjarr. Autoritetet thanë se fjala ishte për një sulm të dështuar.
Askush nuk u dëmtua në këtë incident, i cili ndodhi fare pranë mureve të fortifikuara që rrethojnë ambasadën në Garden City, një lagje me pemë në qendër të kryeqytetit.
Ambasada e SHBA ndodhet pranë asaj britanike, e cila gjithashtu është mjaft e fortifikuar.
Ministria e Brendshme e identifikoi personin si Abdullah Ayman Abdel-Sameea, 24-vjeçar. Ajo tha çanta e tij e shpinës përmbante një shishe me lëndë djegëse të ndezshme. Sipas ministrisë, personi kishte përqafuar një ideologji “ekstremiste” dhe se synonte të përdorte materialin që mbante për një veprim “armiqësor”.
Ministria nuk ofroi informacione të mëtejshme për të mbështetur akuzat.
Ambasada amerikane tha në një koment në Twitter se ishte “në dijeni të një incidenti të raportuar” pranë kompleksit dhe këshilloi shtetasit amerikanë që të shmangnin zonën.
Zona rreth ambasadës është mjaft e ruajtur me policë dhe me barriera betoni që nuk lejojnë trafikun e automjeteve.
Fraksion.com