Trashëgimia në Afganistan e Gjeneralit John Nicholson
John Nicholson, komandanti i 17-të i NATO-s në Afganistan dhe i forcave amerikane atje u largua të dielën nga ky post, me një ceremoni për ndryshimit të komandës në Kabul. Në vend të tij vjen gjenerali amerikan Austin Scott Miller, në një kohë kur Afganistani po përjeton një kombinim të shpresës, shqetësimeve dhe pasigurisë për të ardhmen. Gjenerali Nicholson është komandanti më afatgjatë i NATO-s në Afganistan. Ai shërbeu për gati gjashtë vjet në Afganistan, që pas 11 shtatorit. Ekspertët thonë se vetëm koha do të tregojë nëse trashëgimia e tij do të krijojë premisat për suksesin e qeverisë afgane, apo nëse thjesht ruajti status quo-në me talebanët.
Lufta në Afganistan vazhdon të jetë intensive, me humbje të mëdha ndër talebanët dhe po ashtu ndër forcat afgane të sigurisë.
Ndërsa Gjenerali amerikan John Nicholson dorëzon komandën e forcave amerikane dhe ndërkombëtare, ekspertët thonë se nuk kanë parë progres për asnjërën nga palët.
“Mendoj se fjala ngërç do të ishte përshkrimi më i mirë për dinamikat e dy viteve të fundit në Afganistan”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.
Nicholson luftoi përkrah afganëve përpara se të caktohej komandant. Sapo u emërua në krye të luftës, ai kërkoi të përmirësonte jetën e ushtarëve të thjeshtë afganë.
Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij në janar 2016, ai tha se do të përpiqej t’i jepte fund korrupsionit në Afganistan, në veçanti për rrogat e ushtarëve.
28 janar 2016:
“Në vend të pagesave me cash, që krijojnë hapësirat për përvetësim, do t’i paguajmë ushtarët nëpërmjet një sistemi automatik, ku çdo individ merr shumën e plotë”, shprehej Gjenerali Nicholson.
Ushtria amerikane thotë se kurseu rreth 62 milionë dollarë vitin kaluar që do të kishin shkuar për ushtarë dhe policë fantazma. Megjithatë, kjo shifër nuk është konfirmuar dot nga monitorues të pavarur.
Pas zgjedhjes së presidentit të ri, Nicholson kërkoi një strategji të re dhe shtimin e disa mijëra ushtarëve të forcave ndërkombëtare.
Ai tha se shtimi i njësive do të ndihmonte për t’i hedhur në ofensivë forcat afgane, përmes rritjes së fuqisë luftarake ajrore dhe dyfishimit të numrit të forcave speciale afgane brenda një periudhe katër vjeçare.
9 shkurt 2017:
“Kapacitetet ofensive do të thyejnë ngërçin në Afganistan. Ndër forcat afgane të sigurisë, kryesoret për këtë janë forcat e tyre speciale dhe forcat ajrore”, deklaroi Gjenerali Nicholson.
Por, kjo është një strategji që kërkon më shumë kohë, të cilën shumë amerikanë të lodhur nga lufta dhe tashmë me një president të paduruar, ndoshta nuk e dëshirojnë më. Por, ky është një plan që zyrtarët në Pentagon thonë se është i domosdoshëm për të ulur talebanët në negociata.
“Do vazhdojmë të punojmë për këtë. Mendojmë se duhet t’i përmbahemi kësaj strategjie dhe objektivit tonë për të arritur një zgjidhje të negociuar”, thotë Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.
Zyrtarët përmendin armëpushimin e këtij viti, si dhe shpresat për një armëpushim tjetër në javët e ardhshme, si shenja progresi.
Ata gjithashtu thonë se sulmet e përgjakshme rishtazi në qytetin Ghazni dëshmojnë se talebanët vrasin pa dallim dhe se nuk i ruajnë dot më territoret që përpiqen t’i marrin qeverisë afgane.
Fraksion.com