AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita mblidhet në Shkodër, Basha: Kriminelët po terrorizojnë qytetin; Këtu duhet të ishte edhe kryeministri  

“Në më pak se 3 muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer 2 persona. Kjo është situata në Shkodër. Këtu duhet të ishte kryeministri, jo për të shitur mend dhe për të bërë batuta, por për të raportuar arrestimin e kriminelëve që kanë 6 muaj që terrorizojnë Shkodrën. Por Rama nuk mund të jetë këtu, është në Tiranë me Çyrbjen, Taulant Ballën e Fatmir Xhafën”, tha Basha.

“Na bëjnë thirrjë për bashkëpunim, por me kë të bashkëpunojmë? Me vëllain e Xhafës? Apo me Taulant Ballën, që i plasi skandali i Toyota Yaris-it? Ai pohoi vetë që është mik me një nga anëtarët e bandës së Lushnjes, të dënuar për trafik droge”, shtoi Basha.

Më tej, kreu i PD-së theksoi: “Rama bashkëpunoi haptasi me familjen kriminale Bajraj që ka kthyer Dobraçin në zonë lufte. Një lagje e Shkodrës e vënë nën kontroll nga bandat. Shteti është ulur në gjunjë te krimi. Rama-Xhafaj janë kryeministër dhe ministër në letër, por kontrollin e shtetit e kanë bandat. Ky është realiteti në Shkodër, Vlorë, Fier, Durrës dhe Shijak. Janë qëlluar gazetarë, janë rrëmbyer e zhdukur qytetarë e gazetarë. Situata është totalisht jashtë kontrollit sepse shtetin e kontrollon krimi i organizuar”.

 

Fraksion.com