SHBA: Nesër, seanca dëgjimore për kandidatin e ri të Gjykatës së Lartë
Një Komision i Senatit amerikan nis të martën seancën dëgjimore për konfirmimin e kandidatit Brett Kavanaugh në Gjykatën e Lartë, një emërim i rëndësishëm për Presidentin Donald Trump i cili shpreson të çimentojë një shumicë konservatore në gjykatë për vitet që vijnë.
Kavanaugh do të përballet me pyetje të vështira nga ligjvënësit në Komisionin Juridik të Senatit rreth pikëpamjeve të tij mbi një sërë çështjesh, përfshirë abortin, kompetencat e një prokurori të posaçëm për të hetuar presidentin Trump dhe ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, konfliktin midis besimeve fetare dhe të drejtave të homoseksualëve, kontrollet mjedisore dhe çështje të tjera.
Shtëpia e Bardhë shpreson se Senati do të konfirmojë 53-vjeçarin Kavanaugh si anëtarin e nëntë të gjykatës më vonë në shtator. Ai do të plotësojë vendin e mbetur bosh nga dalja në pension e gjykatësit Anthony Kennedy kur gjykata të hapet për një sesion të ri më 1 tetor. Kennedy u pozicionua më shpesh me bllokun konservator prej katër anëtarësh të gjykatës, por u bashkua me liberalët për të refuzuar përpjekjet për të frenuar abortin dhe të drejtat e homoseksualëve.
Bazuar në qindra vendime që Kavanaugh ka shkruar në gjykatën e apelit, shumica e analistëve të pavarur të Gjykatës së Lartë parashikojnë, se, nëse konfirmohet, Kavanaugh, do të bashkohet me konservatorët në gjykatë, në vend që të të jetë votimi përcaktues që Kennedy shpesh ofrohei në çështje kyçe që favorizojnë interpretimet liberale të ligjit amerikan.
Votimi plotë i Senatit për zotin Kavanaugh pritet të jetë i ngushtë, me republikanët që mbajnë një shumicë të ngushtë 50-49 me vdekjen e senatorit republikan John McCain të Arizonës. Por guvernatori i Arizonës, Doug Ducey kërkohet nga ligji i shtetit të emërojë një tjetër republikan për të zëvendësuar senatorin McCain dhe thotë se pret që ta bëjë këtë në ditët e ardhshme.
Nëse të gjithë 51 republikanët e mbështesin zotin Kavanaugh, ai do të bëhet anëtari i 114-të i gjykatës. Për momentin, asnjë republikanët nuk kanë thënë se do të refuzojë emërimin e zotit Kavanaugh dhe asnjë demokrat nuk ka thënë se do ta mbështesin atë.
Fraksion.com