AktualitetRajoniTë fundit

Goditet trafiku i skafeve në kufirin shqiptaro grek

Katër shtetas shqiptarë u arrestuan dhe 5 mjete lundrimi u bllokuan, gjatë një operacioni të përbashkët mes polcisë shqiptare dhe asaj greke, të koduar “Butrinti”.

Sipas policisë shqiptare hetimet po vijojnë në të dy vendet për aktivitetin e një grupi që grabiste mjete lundrimi në Ishullin turistik të Korfuzit dhe i transportonte më pas nga deti drejt Sarandës.

Policia shqiptare arrestoi dy nga pjesëtarët e grupit dhe bllokoi dy mjete lundrimi ndërsa policia greke ndaloi dy nga shtetasit shqiptarë në ishullin e Korfuzit dhe bllokoi tre mjete lundrimi të grabitura në bizneset turistike të ishullit.

Policia po heton nëse mjetet që grabiteshin përdoreshin dhe për aktivitete kriminale sic është transportimi i lëndëve narkotike.

Trafiku i mjeteve detare shfaqet për herë të parë në këto përmasa në kufijtë detarë të të dy vendeve. Pas masave të policisë shqiptare për lejet për mjetet private të lundrimit dhe forcimit të rregullave për daljen e tyre në det është shtuar trafikimi i mjeteve motorike detare nga Greqia fqinje.

Pak ditë më parë një tjetër mjet lundrimi i grabitur në Greqi ishte gjetur në Sarandë pas denoncimit të pronarit grek. Hapësira detare e Shqiëprisë me Greqinë gjatë verës është në vëmendjen patrullimeve të forta të rojës bredgetare si shqiptare dhe greke për mbarëvajtjen e lëvizjes turistike.

Greqia ka rregulla më të lehtësuara për mjetet private të lundrimit se në anën shqiptare dhe shpesh turistët e huaj shfrytëzojnë marrjen e tyre me qera për të kaluar nga zonat fqinje greke në brigjet shqiptare.

 

Fraksion.com