Shkup, gjyqi për ngjarjet e dhunshme në parlament
Në gjykatën themelore të Shkupit po vazhdon procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për terrorizëm dhe dhunë në ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në parlamentin e Maqedonisë. Të akuzuarit, në mesin e tyre pesë detupetë të opozitës së tanishme, ish-zyrtarë të lartë policorë, si ish-ministri i rendit Mitko Çavkov dhe personalitete të jetës kulturore nuk e pranuan fajësinë para gjykatëses Dobrilla Kacarska. Këtë rast e ka marrë përsipër Prokuroria speciale.
Në seancën e së premtes kanë dëshmuar disa ligjvënës të Lidhjes Social Demokrate, atëherë në opozitë, të cilët ishin në shënjestër të sulmeve të dhunshme së bashku me një duzinë kolegësh të partisë së tyre dhe të partive të tjera.
Damjan Mançevski, ministër në qeverinë e Maqedonisë, në prill të 2017-ës ishte deputet që u gjet në hapsirat e parlamentit ku ndodhi sulmi. Pasi dha dëshminë në gjyq dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të avokatëve dhe të të akuzurave, u tha gazetarëve se ngjarjet e tilla nuk harrohen dhe nuk do t’i dëshironte askujt të ndodhej në një situatë siç ishte ai, me hundë të thyer të përpiqet të gjejë shpëtim:
“Nëse forcat policore ishin të organizuara jashtë parlamentit, nuk do të liheshin të vetëm njerëzit e sigurimit të parlamentit brenda ndërtesës, të cilët megjithatë mund të bënin më shumë”, tha zoti Mançevski.
Ai ka dëshmuar në gjykatë se i kishte parë revole njërit prej të akuzuarve, Igor Jug, ndërsa mbrojtësit e këtij të fundit dhe ai vetë e kanë hedhur poshtë akuzën duke thënë se nuk kish qenë armë por ndonjë gjësend tjetër.
Disa prej 30 të akuzuarve në lidhje me këtë rast po mbahen në paraburgim ose arrest shtëpie; të tjerëve u është kufizuar lëvizja ose janë nën masa të veçanta të sigurisë, ndërkohë që nuk mund të parashikohet se kur mund të mbyllet procesi, ndonëse pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve, avokatët mbrojtës duhet të mbajnë fjalën përmbyllëse. Të akuzuarit përballen me dënime prej më së paku 10 vjetë burg, nëse gjenden fajtorë.
Nga ana tjetër, prokuroria dhe organet policore nuk kanë të dhëna se kush janë organizatorët apo porositësit e kësaj ngjarjeje të pashembullt në parlamentin e Maqedonisë. Hetimet e organeve përkatëse aludojnë tek një thirrje telefonike nga Vjena ku ndodhej ish-kryeministri Nikolla Gruevski, pas së cilës ishin organizuar bandat e dhunshme dhe kishin hyrë brenda parlamentit.
Fraksion.com