AktualitetBota+Të fundit

Trump sulmon zyrtarët e agjensive ligjzbatuese dhe mediat

Gjatë një tubimi në shtetin Indiana, Presidenti Donald Trump shprehu sërish zemërimin e tij ndaj zyrtarëve më të lartë të agjensive ligjzbatuese amerikane. Ndërsa afrojnë zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin amerikan, Presidenti Trump sulmoi sërish mediat që ai thotë se janë në aleancë me kundërshtarët e tij politikë.

Presidenti Trump kërcënoi se do të ndërhyjë tek Departamenti i Drejtësisë nëse nuk ndërmerren veprimet që ai ka kërkuar.

“Departamenti ynë i Drejtësisë dhe FBI-ja duhet të fillojnë të bëjnë punën e tyre, siç duhet, dhe tani. Njerëzit janë të inatosur. Është turp ajo që po ndodh. Kam dashur të qëndroj mënjanë, por nëse nuk i rregullojnë gjërat, do të më duhet të përfshihem vetë dhe të shkoj atje nëse është e domosdoshme. E turpshme”, u deklaroi mbështetësve Presidenti Trump.

Ndërsa po afrohen zgjedhjet e mesmandatit të muajit nëntor, Presidenti Trump sulmoi Partinë Demokrate.

“Duan të prekin programin Medicare që të paguhet për socializmin. Nuk e shoh dot Indianën të bëhet si Venezuela e radhës. Nuk është e mundur”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump foli edhe për negociatat tregtare mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë, që synojnë zëvendësimin e marrëveshjes NAFTA.

“Arritëm pra një marrëveshje të shkëlqyer me Meksikën. Siç e dini, Kanadaja nuk donte fillimisht, por pasi u arrit marrëveshja me Meksikën, ndërruan mendje dhe po negociojnë pikërisht tani në Shtëpinë e Bardhë, në fushën tonë”, deklaroi Presidenti Trump.

Gjatë tubimit, Presidenti Trump sulmoi sërish gazetarët për kritikat e ashpra, duke i akuzuar se janë në aleancë me kundërshtarët e tij politikë, ndër ta edhe “radikalët e shtetit brenda shtetit”./VOA

 

Fraksion.com