Trump mbron punën e tij në Porto Riko
Presidenti amerikan Donald Trump thotë se administrata e tij ka bërë një “punë fantastike” për të ndihmuar rindërtimin e Porto Rikos pas stuhive të vitit të kaluar. Presidenti Trump u tha gazetarëve të mërkurën se qeveria ka derdhur miliarda dollarë për rimëkëmbjen e Porto Rikos, pasi ishulli u godit nga uraganët Irma dhe Maria. Komentet e tij erdhën një ditë pasi një raport i ri zbuloi se numri i vdekjeve të lidhura me stuhitë është afër 3,000 vetë, një dallim i madh nga njoftimi mëparshëm zyrtar se vetëm 64 vetë kishin humbur jetën nga stuhitë. Publikimi i shifrave të reja e bën sezonin e kaluar të uraganëve në Porto Riko një nga më të vdekjeprurësit në Amerikë.
Raporti i ri ka zbuluar se rreth 2,975 vdekje mund t’i atribuohen drejtpërdrejt ose tërthorazi uraganit Maria nga koha që goditi Porto Rikon në shtator të vitit 2017 deri në mes të shkurtit të këtij viti. Kjo përkon edhe me periudhën kur shumë njerëz nuk kishin energji elektrike, ujë të pijshëm dhe kujdes të duhur mjekësor.
Presidenti Trump është akuzuar se nuk ka bërë aq shumë për Porto Rikon, siç bëri për Teksasin dhe Floridën për të zbutur dëmet e stuhisë.
“Është e rëndësishme që të përdorim çdo mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi atë se si administrata e Presidentit Trump i ka lënë pas dore banorët e Porto Rikos”, thotë ligjvënësja demokrate Nydia Velazquez.
Presidenti mbrojti përpjekjet e administratës së tij të mërkurën.
“Ne kemi investuar miliarda dollarë në Porto Riko, dhe kjo ishte e vështirë, por mos harroni se sistemi i tyre energjitik nuk ishte në gjendje të mirë edhe para stuhisë. Ishte i mbyllur, i falimentuar dhe nuk funksiononte. Ata kishin borxhe të mëdha, e kishin mbyllur dhe pastaj kur erdhi stuhia, njerëzit thanë: ‘Çka do të bëjmë për energjinë elektrike?’ ”
Presidenti Trump tha se Porto Riko është duke u rimëkëmbur më ngadalë se Teksasi dhe Florida për shkak të gjeografisë së ishullit dhe problemeve që kishte para stuhive.
“Porto Riko ishte në gjendje më të rëndë. Tani, agjencia qeveritare e ndihmave të emergjencave, FEMA dhe të gjithë njerëzit që punojnë atje, janë të guximshëm dhe kanë bërë punë të madhe. Por, Puerto Riko kishte shumë vështirësi përpara se të goditej nga stuhitë, dhe tani ne po merremi me trajtimin e tyre”.
Guvernatori i Porto Rikos Ricardo Rosello tha se ishulli duhet të ishte përgatitur më mirë për stuhitë dhe mori përgjigjësinë për disa nga problemet.
“Po, bëra gabime. Tani kur i hedh një vështrim të kaluarës është e lehtë ta shoh dhe të jem dakord se gjërat mund të ishin trajtuar pak më ndryshe dhe angazhimi im si guvernator është që ta pranojë këtë kritikë, por edhe të përmirësohem.”
Guvernatori Rosello tha se ai do ta zyrtarizonte shifrën e re të 2,975 viktimave. Shifra origjinale prej 64 personash të vdekur ishte shumë më e vogël sepse stafi mjekësor nuk ia atribuonte vdekjet drejtpërdrejt uraganit Maria, por i klasifikonte ato si vdekje të shkaqeve natyrore ose aksidenteve. Të varfërit dhe të moshuarit ishin më të goditurit nga stuhitë./VOA
Fraksion.com