Nafta e kontrabanduar shitet në pikat ilegale të karburanteve në veri
Janë bërë më tepër se dy vjet që drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kishte prerë shiritin e inaugurimit të pikës së karburanteve të “NIS Petrol”-it serb në veri të Mitrovicës. Në fakt, ndonëse nën firmën e “NIS Petrol”-it, kjo pikë e karburanteve, si dhe dy pikat të tjera, në Zveçan dhe në Zubin Potok, që janë lëshuar më herët në punë, janë të kompanisë së “Gazprom”-it rus, i cili ka privatizuar NIS-in serb, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Në vitin 2008 shteti i Serbisë ia ka shitur 56 për qind të “NIS Petrol”-it kompanisë ruse të naftës “Gazprom”. Në këto tri pika karburantesh, si dhe në rreth 37 pika të tjera ilegale për shitje të derivateve të naftës kryesisht shitet naftë e kontrabanduar nga Serbia.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është ankuar se objektet e tri pikave të karburanteve të “NIS Petrol”-it në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, janë uzurpuar. Sipas zyrtarëve të AKP-së, “NIS Petrol”-i, i cili është në bashkëpronësi me kompaninë ruse të naftës “Gazprom” dhe me qeverinë e Serbisë, nuk ka licencë për shfrytëzimin e pikave të karburanteve.
Më herët Gjuriq kishte thënë se pompat e derivateve të naftës së “NIS Petrol”-it janë aktivizuar pas më shumë se 17 vjetësh dhe se aktivizimi i tyre tregon për ringjalljen e ekonomisë në këtë pjesë. Gjuriq pati komentuar gjithashtu edhe komentet e zyrtarëve kosovarë se në këto pika shitet nafta ruse, duke siguruar se NIS-i si markë e njohur nacionale serbe do të jetë prezente edhe në veri të Kosovës për të përvetësuar tregje të reja. “Pa u ndërlidhur me hapjen e këtyre pompave të naftës kompania jonë e naftës shet dhe furnizon me derivate të naftës jo vetëm pikat e derivateve të naftës në gjithë Kosovën dhe Serbinë, por edhe në vende të tjera”, pati thënë Gjuriq.
Edhe Edita Tahiri, ish-koordinatore e delegacionit kosovar për dialog me Serbinë, kishte alarmuar rastin e hapjes së pikave të karburanteve të “NIS Petrol”-it në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, e cila kishte vepruar shpejt, duke dërguar një ekip për të vërtetuar gjendjen dhe më pastaj kishte rekomanduar Qeverinë e Kosovës që të ndalojë punën e tyre.
Në ndërkohë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës ka identifikuar 37 pika të karburanteve në veri, të cilat operojnë pa licenca. Sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, edhe 37 pikat ku shiten derivatet e naftës operojnë pa licenca, sikurse tri pikat e karburanteve të “NIS Petrol”-it.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka rekomanduar që pikave të karburanteve që nuk kanë licenca të mos u shiten fare derivatet e naftës nga kompanitë kosovare. “Nuk mund të them tani për të gjitha, ose ta zëmë për ‘NIS Petrol’-in ato mund të jenë të regjistruara si biznese, por nuk kanë licencë përkatëse ose ndoshta nuk janë regjistruar fare, nuk ka informacione, por kompanitë tona nuk duhet atyre t’u shesin derivate të naftës”, është shprehur para disa ditëve ministri Hasani, i cili ka shtuar sa janë 30 inspektorë të MTI-së në veri të cilët paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, por që nuk punojnë fare.
Fraksion.com