AktualitetLife StyleTë fundit

Ministri norvegjez jep dorëheqjen për shkak të gruas

Ministri i Transportit i Norvegjisë,  Ketil Solvik-Olsen, tha sot se largohet nga detyra, për të lejuar bashkëshorten që të vazhdojë karrierën e saj mjekësore.

Një veprim që u përshëndet për veçantinë e tij për barazinë gjinore burrë-grua.

“Ishte fantastike të jem ministër dhe, në fakt, mund të kisha vazhduar gjithë jetën time”, tha Ketil Solvik-Olsen, anëtar i Partisë “Progresi i Krahut të Djathtë”.

“Por unë kam ardhur në një udhëkryq në jetën time. Është radha e gruas sime për të ndjekur ëndrrën e saj. Është një marrëveshje që kemi pasur për disa vite”, u shpreh ai për “TV2 Nyhetskanalen”, duke shtuar se synon të kthehet në vijën e frontit të politikës në një fazë tjetër.

Ketil tha më tutje se gruaja e tij, Ton Solvik-Olsen, ka pranuar një detyrë në spitalin e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përdoruesit e mediave sociale në Norvegji reaguan pozitivisht ndaj vendimit të tij, duke e quajtur veprim “të respektueshëm” dhe “një shembull të madh”.

Vendimi i Ketil Solvik-Olsen është mirëpritur edhe si një fitore për barazinë gjinore.

Forumi Ekonomik Botëror mbi barazinë midis burrave dhe grave e rendit Norvegjinë të dytën pas Islandës, gjithmonë në fokus të përpjekjeve globale të drejtësisë gjinore.

Sipas mediave norvegjeze, ministri i Naftës dhe Energjetikës, Terje Søviknes edhe ai pjesë e partisë së Progresit do të heqë dorë nga posti që drejtonte për t’iu përkushtuar përgjegjësive të politikave lokale.

 

Fraksion.com