Kosovë: Krerët politik përpiqen të flasin njëzëri në Bruksel
Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli takuan presidentin Thaçi. Haradinaj tha, se e ka marrë zotimin e presidentit se në Bruksel nuk do të flitet për kufijtë dhe territorin e Kosovës.
“Njohja reciproke është e nevojshme. Procesi i dialogut nuk nënkupton diskutim të territorit as të kufijve të Kosovës. Me rëndësi është që presidenti u shpreh qartë, se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Respekton territorin dhe integritetin, pra respekton e punon në bazë të Kushtetutës, kështu që nuk diskutohet dhe nuk pranon të diskutojë për ndarjen e vendit. Ajo që është me rëndësi është të qartësohet qëllimi institucional, pra që territori dhe kufijtë nuk diskutohen në asnjë dialog”, u shpreh pas takimit Ramush Haradinaj, i cili në të njëjtën kohë tha se: “me rëndësi është përfshirja e opozitës në këtë proces”.
Por opozita në Kosovë deri tash e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike që të përfshihet në “Grupin e Unitetit”, në dialogun me Serbinë, ashtu siç po kërkon presidenti Thaçi. Madje partitë opozitare tashmë kanë kërkuar që me datën (04.09) të mbahet seancë të jashtëzakonshme në parlament, ku me anë të një rezolute duan që t’ia ndalojnë presidentit Thaçi që të flasë me presidentin e Serbisë Vuçiq, për “korrigjimin e kufirit, në takimin e radhës që do të mbahet në Bruksel me (07.09).
Në një komunikate për medie partia më e madhe opozitare LDK tha, se “Territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar”. Presidenti Thaçi duhet të ndalet. Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprimet të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundër kushtetuese dhe kushdo që hyn në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike”, thuhet në njoftimin e LDK-së. Opozita në Kosovë nuk e përjashton mundësinë edhe të protestave në rrugë për të kundërshtuar siç thonë “diskutimin në Bruksel për kufijtë e Kosovës”.
Mirëpo, kundërshtimit të opozitës dhe nismës së saj për një rezolutë kuvendi kundër “presidentit Thaçi”, ky i fundit ju përgjigj në mënyrë shumë të ashpër, madje duke u thënë se po “rrezikojnë partneritetin me Perëndimin”.
“SHBA dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë të përfshira në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje eventuale, e cila është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në BE, NATO dhe OKB. Pra, përderisa në njërën anë kemi të gjithë aleatët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, fatkeqësisht në Kosovë, në anën tjetër kemi një opozitë të ndihmuar nga disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile që e konsiderojnë këtë mbështetje si qëllimkeqe për Kosovën”, tha presidenti Thaçi duke shtuar se “Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë”.
Sidoqoftë, partitë opozitare janë të vendosura që me datën (04.09) ta nxjerrin rezolutën në kuvend për t’ia ndaluar presidentit, që “të flasë për kufijtë e Kosovës”. E këtë nismë të opozitës një ditë më parë e mbështeti edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se partia e tij do ta mbështesë çdo nismë që kundërshton diskutimet për kufijtë e Kosovës. Nismën e opozitës për rezolutë në kuvend kundër presidentit Thaçi, deri tash nuk e ka mbështetur vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Fraksion.com