Kosova: Edhe një hap më afër lëvizjes pa viza
Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme, i njohur si komiteti LIBE, votoi të enjten në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Me 30 vota për, 10 kundër dhe 2 të paanshme, LIBE e kaloi çështjen tek Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian, dy hapat tjerë që duhet të përmbyllin këtë proces.
Komisionari i BE-së për migracion, Dimitris Avramopoulos, mirëpriti vendimin duke shfaqu shpresën se shumë shpejtë do të vijë koha që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimorë do të jete pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Komiteti LIBE mori një vendim të drejtë, duke votuar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Çdo herë e më shumë po i afrohemi vendimit final, shumë kohë të pritshëm, që t’u hiqet çdo pengesë e lëvizjes së lirë edhe qytetarëve tanë në zonën Shengen”.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha nëpërmjet një postimi në rrjetin Facebook se “ky është një lajm i merituar për qytetarët dhe një hap drejt vendimit final nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ne presim që brenda këtij viti qytetarët tanë të lëvizin pa viza në Zonën Schengen”.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se “Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit, andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së”.
Më 18 korrik, Komisioni Evropian, kishte dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimit të vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për këtë çështje.
Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti.
Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova mbetet po ashtu e fundit në proceset integruese. Në të gjitha proceset Kosova përballet edhe me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Fraksion.com