AktualitetBota+Të fundit

Rusia paralajmëron Perëndimin: Mos ndërhyni në “operacionin anti-terror” në Idlib

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i bëri thirrje Perëndimit që të mos ndërhyjë në përpjekjet për të pastruar provincën Idlb të Sirisë nga “terroristët”.

Komentet e tij për gazetarët në Moskë vijnë pas raporteve se forcat e Qeverisë siriane po përgatiten për një ofensivë masive në Idli, bastionin e fundit të madh të rebelëve.

Rusia i ka dhënë presidentit sirian, Bashar al-Assad, mbështetje të madhe gjatë luftës civile, e cila prej vitit 2011, ka lënë qindra-mijëra njerëz të vrarë dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. Rusia i ka kthyer zhvillimet në favor të Assadit kur ka nisur fushatën e sulmeve ajrore mbi kundërshtarët e tij në vitin 2015.

“Shpresoj se partnerët tanë ndërkombëtarë nuk do të bien pre e provokimeve (të rebelëve) dhe nuk do ta pengojnë operacionin anti-terror”, tha Lavrov.

SHBA mbështet forcat opozitare që luftojnë kundër Qeverisë së Assadit.

Turqia mbështet po ashtu rebelët, por jo gjithmonë të njëjtët që i mbështet Uashingtoni.

Lavrov tha se Moska ka qenë në kontakt me Turqinë dhe SHBA-në për situatën në Idlib.

Ai tha se ka “mirëkuptim të plotë politik” midis Moskës dhe Ankarasë, por nuk dha detaje.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca paralajmëruan sërish Sirinë që të mos përdorë armë kimike gjatë ofensivës në Idlib, duke thënë se një gjë e tillë do të nxiste hakmarrjen e Perëndimit.

Nga ana tjetër, Moska ka akuzuar rebelët sirianë për planifikimin e një sulmi kimik në Idlib për të “provokuar” sulme nga Perëndimi.

 

Fraksion.com