Rama: “Shqipëriaqëduam.al”, rruga më e shkurtër
Mbi 50 mijë qytetarë i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, e cila ndër të tjera ka ofruar zgjidhje edhe për emigrantët që punojnë e jetojnë jashtë vendit.
Në takimin periodik me koordinatorët e bashkëqeverisjes ku prezantohen disa prej rasteve më të fundit të suksesit në funksionimin e platformës, kryeministri Edi Rama u shpreh se “pavarësisht periudhës së pushimeve platforma ka vazhduar të jetë shumë aktive”.
Janë 4439 qytetarë që i janë drejtuar platformës që prej 1 korrikut dhe ajo që është më e rëndësishmja, të gjithë ata të cilët kanë adresuar halle apo probleme si rezultat i vonesave apo zvarritjeve burokratike në zyrat e shtetit, kanë marrë zgjidhje në afatet e përcaktuara”.
“Ka kaluar 50 mijë numri i qytetarëve që janë përfshirë në platformë për të shprehur një shqetësim, adresuar një problem, kërkuar zgjidhjen e një halli, apo si qytetar aktiv për të përcjell një opinion të tyrin në platformë”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se platforma është një urë e sigurt bashkëpunimi dhe ndërveprimi mes njerëzve të zakonshëm dhe anëtarëve të kabinentit qeveritar sipas fushës së interesit. Po ashtu, tha Rama, ajo është një instrument i sprovuar për të zgjidhur në kohë reale një problem e shqetësim pavarësisht statusit social, moshës e gjeografisë.
Ai theksoi se gjatë këtyre dy muajve ka plot raste adresimesh nga bashkëqytetarë jashtë Shqipërisë. “Platforma nuk ka kufi dhe duke qenë tërësisht instrument dixhital bën të mundur që qytetarët që kanë probleme me administratën këtu, dhe e kanë të pamundur të vijnë në Shqipëri, ndërkohë që prej vitesh kanë halle që nuk i zgjidhin dot, mund ta bëjnë drejtpërdrejtë përmes platformës”, tha kryeministri Rama
Postimi i Kryeministrit
“: Platforma shqiperiaqeduam.al ka kaluar numrin e 50 mijë të interesuarve, ndërkohë që ka vijuar papushim edhe gjatë sezonit të pushimeve të jetë adresë aktive, ku 4439 qytetarë kanë përcjellë ankesa, shqetësime e opinione, duke marrë zgjidhje për çdo rast kur halli a problemi i tyre ka qenë i lidhur me vonesa a zvarritje në zyrat e shtetit
shqiperiaqeduam.al është rruga më e shkurtër e çdo qytetari që kërkon të zgjidhë një hall a problem, me administratën shtetërore dhe ura e sigurt e bashkëveprimit mes anëtarëve të qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi🤝
Fraksion.com