AktualitetTë fundit

Minierë 50 metra nga banesat, protestë në Memlisht. Ndërhyn dhunshëm policia

Banorët e fshatit Memlisht në Pogradec kanë kontestuar fillimin e punimeve për shfrytëzimin e minierës së hekur-nikelit, pasi, sipas tyre, u rrezikohen banesat.

25 banesa me certifikatë pronësie, të cilat ndodhen vetëm pak metra në distancë nga zona ku firma “Delta Star” synon të zhvillojë aktivitetin për nxjerrjen e mineralit, rrezikojnë të dëmtohen, sipas banorëve. Firma ka arritur të sigurojë lejen e shfrytëzimit dhe është autorizuar që të punojë në një distancë prej vetëm 48 metrash nga shtëpitë, ndërsa banorët kontestojnë punimet pasi në banesat e tyre ka ende gjurmë të dëmtimeve nga aktiviteti i mëparshëm i shfrytëzimit të minierës.

Banorët, mes të cilëve edhe ish-minatorë, tregojnë se përdorimi i lëndëve plasëse është një rrezik potencial jo vetëm për banesat, por edhe për jetët e tyre.

Në momentin kur nga ana e firmës është bërë përpjekja për të nisur punimet ata e kanë kontestuar, duke u konfrontuar fizikisht edhe me policinë. Dy prej banorëve janë shoqëruar, ndërsa një grua ka mbetur e dëmtuar fizikisht.

Banorët shprehen të vendosur për të mos lejuar fillimin e punimeve, ndërsa apelojnë për zgjidhjen e kësaj situate./TCH

 

Fraksion.com