Koment: Qeveria mashtruese e Italisë
Populistët dhe nacionalistët në Romë nuk pranojnë të marrin më migrantët dhe shkelin me këtë rregulloret europiane. Nëse Brukseli vazhdon ende të bëjë sehir, do të hyjë në një krizë të re, mendon Bernd Riegert
Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet kërcënon se do të ndërpresë kontributet italiane në buxhetin e BE. Kjo është e para antiligjore, dhe tjetra një kërcënim pa stil, që BE e ka hedhur menjëherë poshtë. Di Maio dhe ministri i Brendshëm, Matteo Salvini pretendojnë më tej, se BE ka premtuar t’ia marrë Italisë emigrantët që vijnë aty. Edhe kjo është e gabuar. Një ujdi të tillë nuk e kanë arritur asnjëherë shtetet anëtare, që duan të izolohen nga migrantët. Disa kanë sinjalizuar vetëm gatishmërinë vullnetarisht për të marrë disa prej tyre. Më shumë solidaritet nuk ka.
Shantazh, gënjeshtra, nacionalizëm – Italia në të tatëpjetë
Por më absurd është pretendimi, se Komisioni i BE në Bruksel është përgjegjës për pranimin e refugjatëve. Di Maio dhe Salvini e dinë shumë mirë, se përgjegjës për këtë janë shtetet anëtare. Solidaritet nuk ka as mes qeverive populiste. Edhe autokrati në Danub, kryeministri hungarez, Viktor Orban refuzon, megjithë kërkesën italiane të marrë edhe një emigrant të vetëm. Salvini, që me temën e refugjatëve vazhdon të bëjë fushatë zgjedhore të pandërprerë, megjithëse shifra e të ardhurve është shumë larg gjendjes së krizës, ka gjetur një recetë antihumane të thjeshtë: Përmes refuzimit të çdo lloj anijeje me migrantë në bord, ai kërkon të izolohet dhe të kërcënojë me çdo çmim. “Italia e para” – po zbatohet pa marrë parasysh pasojat.
Fakti që Salvini dhe funksionarët e tij bllokuan edhe një anije italiane si “Dicioitti” është e papranueshme për drejtësinë italiane. Ajo ka filluar hetimet për heqje lirie ndaj Salvinit, që nuk do shkojnë shumë larg me siguri, por të paktën kjo është një shenjë e qartë e rezistencës kundër kursit të populistëve në Romë. Reagimi i Salvinit pritej. Hetimet ai i quan “turp”, se bëhet fjalë për Italinë dhe “nder”, sepse fisnikërojnë luftën e tij kundër sistemit. Sulme të tilla joserioze ndaj drejtësisë i njohim ndërkohë nga Shtëpia e Bardhë, por ato nuk duhet të kthehen në përditshmëri edhe në Itali!
Italia ka për të rrezikuar
E vërtetë është po ashtu se shtetet anëtare, edhe pas tre vjetësh nuk kanë arritur të bien dakord për një reformë të sistemit të azilit dhe një shpërndarje të drejtë të migrantëve. Kjo është dobësia që shfrytëzohet deri në fund nga populistët: BE bëhet fajtore për çdo gjë. Ky reagim impulsiv është i gabuar. Problemet janë komplekse dhe Italia vetë ka bërë pjesë tek vendet që kanë penguar reformimin e procedurave europiane.
E palejueshme është që të veprosh në mënyrë të veçuar tërësisht, duke shkelur rregullat europiane e ato humane, siç po bëjnë Matteo Salvini dhe Luigi di Maio tani. Me këtë ata cënojnë edhe themelet e BE. Por me kërcënime nuk kanë për të shkuar larg, as nuk duhen lejuar të shkojnë larg. Edhe në negociatat për buxhetin nga viti 2012-2017, italianët mund të shkaktojnë shumë probleme. Mund të llogarisim se populistët dhe radikalët e djathtë do të rrezikojnë edhe daljen nga eurozona dhe BE për të realizuar vullnetin e tyre. Pas Brexit, Polonisë dhe Hungarisë po krijohet me shpejtësi një vatër e re krize për BE./Bernd Riegert, DW
Fraksion.com