Gjykata e Strasburgut sqaron bisedën e përgjuar
Gjyqtari Ledi Bianku ia ka referuar Gjykatës së Strasburgut si të papërshtatshme kërkesën e Denar Bibës në takimin që ata kanë pasur në vitin 2014.
Këtë qëndrim, ai ia ka shprehur menjëherë pas takimit të ndodhur në një kafene në Strasburg, presidentit të Gjykatës, Dean Spielman.
E pohon këtë vetë gjykata, në një sqarim për Televizionin Klan, teksa jep detaje për takimin dhe për natyrën e kërkesës së nënkryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas pretendimeve të gjyqtarit Bianku.
“Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me Qeverinë Shqiptare (z. Denar Biba) kontaktoi z. Ledi Bianku, gjyqtar për Shqipërinë, duke kërkuar që Gjykata të shtyjë shqyrtimin e çështjeve në lidhje me kthimin e pronës. Gjykatësi Bianku i tregoi këtij personi se një qëndrim i tillë ishte i papërshtatshëm dhe menjëherë informoi Dean Spielmann, President i Gjykatës Evropiane në atë kohë. Ai më pas e njoftoi Presidentin aktual të Gjykatës, Guido Raimondi, sapo ai u zgjodh në detyrë”.
Gjykata e Strasburgut thotë se ky episod nuk ndikoi në vendimin përfundimtar për ta pranuar kërkesën e delegacionit shqiptar për të shtyrë shqyrtimin e çështjeve për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Në vitin 2014, në të njëjtën ditë të takimit Bianku–Biba, kërkesa u refuzua për arsye se vendimin s’mund ta merrte presidenti i gjykatës, por u pranua në vitin 2016 nga Dhoma relevante e saj.
“Kërkesa zyrtare për shtyrjen e rasteve në lidhje me kthimin e pronës është bërë në të njëjtën datë në një takim midis autoriteteve të Gjykatës Evropiane dhe autoriteteve shqiptare. Kjo kërkesë mori të njëjtin refuzim të plotë. Në veçanti, çdo vendim i tillë ka qenë në kompetencë e Dhomës, tek e cila rastet ishin në pritje të shqyrtimit dhe nuk mund të merreshin nga Presidenti i Gjykatës. Për më tepër një kërkesë e tillë mund të shqyrtohej vetëm në përputhje me rregullat normale procedurale.
Më pas, në vitin 2016, Dhoma relevante e Gjykatës vendosi të shtyjë shqyrtimin e këtyre rasteve. Megjithatë, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014. Gjykatësi Bianku nuk mori pjesë në këtë vendim, sepse ai ishte tërhequr nga këto raste”, deklaron Gjykata se Strasburgut për Klan.
Teksa thekson se takimi Bianku–Biba nuk pati lidhje me vendimet e saj, gjykata e Strasburgu sqaron gjithashtu se të gjitha vendimet për rastet merren në një formë gjyqësore dhe në përputhje me procedurën e përcaktuar në Rregulloren e Gjykatës.