AktualitetKosovaTë fundit

Opozita në Kosovë: Seancë e jashtëzakonshme ndaj presidentit

Opozita në Kosovë me një rezolutë po tenton ta ndalojë presidentin e Kosovës që ta diskutojë në Bruksel me Vuçiqin çështjen e korrigjimit të kufijve. Takimi i radhës Thaçi-Vuçiq zhvillohet më 7shtator.

Partitë politike opozitare po tentojnë ta ndalin Presidentin e Kosovës që më 7 shtator kur do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mos e hapë temën e “korrigjimit të kufijve të Kosovës”, ashtu siç po tenton presidenti Hashim Thaçi. Ndonëse zyrtarisht nuk është thënë se cila do të jetë tema e bisedimeve në takimin e 7 shtatorit në Bruksel, partitë politike opozitare po mbledhin nënshkrimet e deputetëve për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të njëjtën ditë, ku përmes një rezolute siç thonë, “do t’ia ndalojnë presidentit që të flas për kufijtë e Kosovës”.

Partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një komunikate për medie thotë, se “nuk do të lejojë që Thaçi dhe Vuçiq të bëjnë pazar me territorin e Kosovës”.

“Kosova është një dhe e pa ndashme. Territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar. Presidenti Thaçi duhet të ndalet. Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprimet të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundër kushtetuese dhe kushdo që hyn në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike”, thuhet në njoftimin e LDK dhe njëkohësisht kjo parti paralajmëron, se “do të refuzojë çdo marrëveshje që bëhet pa mandat të kuvendit dhe pa pajtueshmëri të gjerë të forcave relevante politike dhe të qytetarëve”.

Opozita në Kosovë nuk e përjashton mundësinë edhe të protestave në rrugë për të kundërshtuar: “diskutimin në Bruksel për kufijtë e Kosovës”.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca thotë, se opozita tashmë është e koordinuar dhe do të veprojë njëzëri kundër presidentit. “Më mirë është që ne të gjithë si popull të vendosim për Thaçin, sesa ai për të gjithë neve. Ne u pajtuam që para se ai të shkojë në Bruksel më 7 shtator, duhet të mblidhemi dhe t’i tregojmë se kjo është e pamundshme. Kuvendi të dalë me një dokument që do t’i tregojë atij se është e pamundshme që ai t’i verë në pazar kufijtë e Kosovës”, është shprehur për mediet lokale Glauk Konjufca.

Kundër thirrjeve të opozitës që parlamenti “me rezolutë ta ndalojë presidentin”, është kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës. Veseli thotë, se thirrja e opozitës për një seancë të jashtëzakonshme, ndonëse proceduralisht në rregull, politikisht përbën një veprim absurd dhe krejtësisht të panevojshëm.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, as dje, as sot, as kurrë, nuk mbrohet me deklarata elektorale dhe rezoluta eventuale. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës mbrohet nga institucionet shtetërore dhe nga kushtetuta e saj. Paniku opozitar dhe gënjeshtrat me të cilat partitë opozitare dezinformojnë qytetarët e Kosovës janë të turpshme dhe njëkohësisht të rrezikshme për stabilitetin e vendit. Ato kanë një qëllim të vetëm: të nxisin tensione dhe më pas protesta të dhunshme antidemokratike, në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor në vend”, shkroi në profilin e tij social kryeparlamentari. Sipas tij “opozita në Kosovë duhet ta kuptojë që dialogu me Serbinë ka tri qëllime”.

“Qëllimi i parë është arritja e marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht obligative për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Qëllimi i dytë, që varet prej të parit, është njohja reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Qëllimi i tretë është hapja e rrugës për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në OKB, NATO dhe BE”, thotë kryetari i parlamentit Veseli.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011. Janë arritur një sërë marrëveshjesh, por, tash nga Bashkimi Evropian po kërkohet një marrëveshje përfundimtare që do të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Presidenti Thaçi dhe Vuçiq, thanë se takimi i 7 shtatorit që do ta zhvillojnë në Bruksel në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogherini do të jetë takim i vështirë, për faktin që qëndrimet e të dyja palëve ende janë larg një kompromisi të mundshëm.

 

Fraksion.com