AktualitetOp-EdTë fundit

Nuk ka një luftë mes qytetërimeve, e gjithë bota është një

Nga Juval Harari

Teza e “përplasjes së civilizimeve”, duket sikur po përjeton një rilindje. Shumë ekspertë, politikanë dhe qytetarë të zakonshëm besojnë se lufta civile siriane, ngritja e ISIS, Brexit dhe paqëndrueshmëria e Bashkimit Europian, të gjitha janë pasojë e përplasjes midis “qytetërimit perëndimor” dhe “qytetërimit islamik”.

Përpjekjet perëndimore për të imponuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vendet myslimane, sollën një reagim të ashpër islamik; dhe një valë e emigracionit mysliman, e shoqëruar me sulme terroriste islamike, bëri që votuesit evropianë të braktisin ëndrrat multikulturore, në favor të identiteteve lokale ksenofobike.

Sipas kësaj teze, njerëzimi ka qenë gjithmonë i ndarë në qytetërime të ndryshme, anëtarët e të cilave e shohin botën në mënyra të papajtueshme mes tyre. Këto pikëpamje të papërshtatshme botërore, bëjnë që konfliktet midis qytetërimeve të ngjajnë të pashmangshme. Ashtu si në natyrë, lloje të ndryshme qyteterimesh luftojnë për mbijetesë, sipas ligjeve të pamëshirshme të përzgjedhjes natyrore.

Teza e “perplasjes se qytetërimeve”, ka implikime politike të gjera. Përkrahësit e saj, pretendojnë se çdo përpjekje për të pajtuar “Perëndimin” me “botën myslimane” është e dënuar të dëshrojë. Vendet myslimane, s’do të pranojnë kurrë vlerat perëndimore, dhe vendet perëndimore nuk mund të asimilojnë kurrë me sukses pakicat myslimane.

Por kjo tezë është mashtruese. Fondamentalizmi islamik, mund të përbëjë vërtet një sfidë radikale, por “qytetërimi” që ai sfidon është një qytetërim global, dhe jo një fenomen unik perëndimor. Shteti Islamik ka arritur të bashkojë Iranin dhe Shtetet e Bashkuara kundër tij. Madje edhe fondamentalistët islamikë, pavarësisht të gjitha fantazive të tyre mesjetare, janë të bazuar më shumë në kulturën bashkëkohore globale, se në Arabinë e shekullit VII.

Ata ushqejnë frikërat dhe shpresat e të rinjve të alienuar modernë, se sa të fshatarëve dhe tregtarëve të Mesjetës. Më e rëndësishmja, edhe analogjia midis historisë dhe biologjisë, që mbështet temën e “përplasjes së qytetërimeve” është e rreme. Grupimet njerëzore – nga fiset e vogla deri tek qytetërimet e mëdha – janë krejtësisht të ndryshme nga llojet e kafshëve, dhe konfliktet historike ndryshojnë shumë nga proceset e përzgjedhjes natyrore.

Speciet e kafshëve, kanë identitete objektive që qëndrojnë të njëjta për mijëra e mijëra breza. Nëse jeni një shimpanze apo një gorillë, kjo varet më shumë nga gjenet sesa nga bindjet tuaja, dhe gjene të ndryshme diktojnë sjellje të ndryshme sociale. Shimpanzetë jetojnë në grupe të përziera meshkujsh dhe femrash. Ata garojnë për pushtet, duke ndërtuar koalicione mbështetësish nga të dyja gjinitë.

Ndërkohë midis gorillave, një mashkull i vetëm dominant krijon një harem femrash, dhe zakonisht përjashton çdo mashkull të rritur, që mund të sfidojë pozicionin e tij. Nuk gjen asgjë të tillë në mesin e njerëzve. Po, grupet njerëzore mund të kenë sisteme të dallueshme shoqërore, por këto nuk janë të përcaktuara gjenetikisht, dhe rrallë ekzistojnë për më shumë se disa shekuj.

Për shembull, mendoni për gjermanët e shekullit XX-të. Në më pak se 100 vjet, ata u organizuan në 6 sisteme shumë të ndryshme:Perandoria e dinastisë Hohenzollern, Republika e Vajmarit, Rajhu i Tretë, Republika Demokratike Gjermane (Gjermania Lindore Komuniste), Republika Federale Gjermane (Gjermania Perëndimore) dhe së fundmi Gjermania e ribashkuar demokratike.

Natyrisht gjermanët e ruajtën gjuhën, dhe dashurinë e tyre për birrën dhe kremviçet. Por a ka ndonjë esencë të veçantë gjermane, që i dallon ata nga të gjitha kombet e tjera, dhe që ka mbetur e pandryshuar nga Vilhelmi II tek Angela Merkel? Dhe nëse gjeni diçka, a ka ekzistuar ajo 1000 apo 5.000 vjet më parë?

Po, idetë demokratike kanë qenë pjesë e kulturës evropiane për shekuj me radhë, por ato kurrë nuk ishin gjithçka. Pavarësisht lavdisë dhe ndikimit të saj, demokracia athinase ishte një eksperiment që mbijetoi vetëm për 200 vjet në një cep të vogël të Ballkanit.

Nëse qytetërimi evropian për 25 shekujt e kaluar, është përcaktuar nga demokracia dhe të drejtat e njeriut, ç’duhet të bëjmë me Spartën dhe Jul Çezarin, kryqëzatat dhe konquistadorët, Inkuizicionin, dhe tregtinë e skllevërve të Lugjit XIV dhe Napoleonit, Hitlerin dhe Stalinin? A ishin ata të gjithë elementë të futur nga ndonjë qytetërim i huaj?

Në fakt, qytetërimi evropian është çdo gjë që bëjnë evropianët, ashtu si krishterimi është çdo gjë që bëjnë të krishterët, Islami është çdo gjë që bëjnë muslimanët, dhe Judaizmi është çdo gjë që bëjnë hebrenjtë. Dhe ata kanë bërë prej saj gjëra të mrekullueshme gjatë shekujve.

Grupimet njerëzore, përkufizohen më shumë nga ndryshimet të cilave iu nënshtrohen, por megjithatë arrijnë të krijojnë identitete të lashta për veten e tyre, falë aftësive të tyre të rrëfimit.

Edhe një individ mund të vendosë ndryshime personale revolucionare, në një histori koherente dhe të fuqishme jetësore:”Unë jam ai që dikur ishte socialist, por më pas u bëra kapitalist; kam lindur në Francë, dhe tani jetoj në SHBA; u martova, dhe pastaj u divorcova; isha i sëmurë kancer, dhe më pas u shërova”.

Ngjashëm, një grup njerëzor si gjermanët, mund të arrijë të përkufizohet nga vetë ndryshimet të cilave u është nënshtruar:”Dikur ishim nazistë, por e mësuam leksionin tonë, dhe tani jemi demokratë paqësorë”. Këto transformime radikale, janë pikërisht ajo që përcaktojnë identitetin gjerman.

Njerëzit shpesh refuzojnë t’i shohin këto ndryshime, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlerat kryesore politike dhe fetare. Njerëzit kanë ende besime dhe identitete kombëtare të ndryshme. Por kur bëhet fjalë për gjërat praktike – si të ndërtojmë një shtet, një ekonomi, një spital ose një bombë – pothuajse të gjithë ne i përkasim të njëjtit qytetërim.

Sigurisht ka mosmarrëveshje, por pastaj të gjitha qytetërimet kanë kontestet e tyre të brendshme. Në të vërtetë, ato përcaktohen nga këto mosmarrëveshje. Kur përpiqen të përshkruajnë identitetin e tyre, njerëzit bëjnë shpesh një listë të tipareve të përbashkëta. Kjo është e gabuar. Ata do të ishin shumë më të saktë, nëse do të bënin një listë të konflikteve dhe dilemave të zakonshme.

Për shembull, deri në vitin 1618 Europa nuk kishte një identitet të vetëm fetar – ai u përcaktua vetëm nga konflikti fetar. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 1940, Britania dhe Gjermania kishin vlera shumë të ndryshme politike, por ato ishin pjesë e “qytetërimit europian”.

Hitleri nuk ishte më pak europian sesa Çërcilli. Përkundrazi, lufta mes tyre përcaktoi se çfarë do të thoshte të ishe europian në atë moment të veçantë historik. Në të kundërtën, një gjuetar Kung në vitin 1940 nuk ishte europian, pasi sepse përplasja e brendshme europiane rreth racës dhe perandorisë, do të kishte patur pak kuptim për të.

Njerëzit që ne luftojmë më shpesh, janë anëtarët e familjes sonë. Identiteti përcaktohet nga konfliktet dhe dilemat, më shumë se sa nga marrëveshjet. Çfarë do të thotë të jesh evropian në vitin 2018? S’do të thotë të kesh lëkurë të bardhë, të besosh tek Jezu Krishti, apo të mbështesësh lirinë. Përkundrazi, do të thotë të debatosh me forcë rreth emigracionit, BE-së dhe rreth kufijve të kapitalizmit.

Gjithashtu, do të thotë të pyesësh veten, “Çfarë  e përcakton identitetin tim”? Dhe të shqetësohesh për një popullsi të plakur, për konsumizmin e shfrenuar dhe për ngrohjen globale. Në konfliktet dhe dilemat e tyre, europianët e shekullit XXI, janë të ndryshëm nga paraardhësit e tyre të viteve 1618 dhe 1940, por janë gjithnjë e më shumë të ngjashëm me partnerët e tyre tregtarë kinezë dhe indianë.

Çfarëdolloj ndryshimesh që na presin në të ardhmen, ato kanë të ngjarë të përfshijnë një luftë vëllazërore brenda një qytetërimi të vetëm, dhe jo një përplasje mes qytetërimeve të huaja. Sfidat e mëdha të shekullit XXI, do të jenë globale në natyrën e tyre. Çfarë do të ndodhë kur ndryshimi i klimës të shkaktojë katastrofa ekologjike?

Ç’do ndodhë kur kompjuteri do të dominojë njerëzit në gjithnjë e më shumë punë, duke i zëvendësuar ata? Çfarë do të ndodhë kur bioteknologjia, të na mundësojë të përmirësojmë shëndetin e njerëzve dhe zgjasim jetëgjatësinë? Pa dyshim, do të kemi debate të mëdha e të hidhura mbi këto pyetje.

Por këto argumente dhe konflikte, nuk kanë gjasa të na izolojnë nga njëri-tjetri. Përkundrazi, është krejt e kundërta. Ato do të na bëjnë gjithnjë e më të ndërvarur. Ndonëse njerëzimi është shumë larg krijimit të një bashkësie të harmonizuar, ne të gjithë jemi anëtarë të një qytetërimi global./Marrë me shkurtime nga “New Statesman”, bota,al

 

Fraksion.com