AktualitetLife StyleTë fundit

Një rrëfim (replikë) i Edi Ramës për charter-in në Torino dhe veten

Ndoshta ka qenë replika më e gjatë e shkruar nga kryeministri Edi Rama, gjatë komunikimit të zakonshëm në rrjetin social “Facebook”, ku rëndom komentuesit e sulmojnë e ai mbrohet.

Shkak është bërë udhëtimi i tij me një charter drejt Torinos, për të ndjekur takimin Juventus–Lacio.

Nga aty më pas publikoi një video ku fliste me presidentin e Juves, Andrea Anjeli, e më pas foton prej tifozi ku kishte pozuar me Ronaldon.

Nga këtu nisën sulmet, kryesisht për udhëtimin me charter.

Kjo e ka “detyruar” Ramën të bëjë një shpjegim të gjatë.

“Është për të ardhur keq se si peshkohen sot njerëz jo keqdashës nga lajmet e rreme e nga akuzat nëpër rrjetet sociale!

Sa për dijeni, unë kam vendosur qysh ditën e parë rregullin që qeveria, që nga kryeministri e me radhe, nuk udhëton më ne business class, po në klasën ekonomike si gjithë njerëzit e zakonshëm.

Së dyti unë kurrë nuk kam marrë një biletë për veten e lëre më pastaj për familjen, kur kam udhëtuar (në shumë pak raste në këto pesë vjet, sepse edhe pushimet ia kam ndaluar vetes e ministrave t’i bëjnë jashtë Shqipërie) për arsye joshtetërore dhe si rrjedhojë udhëtimet e mia i kanë kushtuar më pak buxhetit të shtetit se sa ato të tjetërkujt në detyrën time – rastet e udhëtimeve të punës me charter nuk e kanë rënduar asnjëherë buxhetin e shtetit dhe nuk janë përdorur kurrë për arsye private apo për familjen time siç është gënjyer paturpësisht ne rrjetet sociale.

Së treti, unë isha ne Torino si i ftuar i klubit të Juventusit dhe falë mikut tim Igli Tare që më dha mundësinë e udhëtimit me charterin e prenotuar prej atij vetë, duke qenë se ndodhet ne Shqipëri me pushime. Pra shkurt, udhëtimi im nuk kushtoi as edhe një qindarkë të vetme, zero.

Kështu që më vjen sinqerisht keq, po edhe për të qeshur të them të drejtën, kur dëgjoj e lexoj për të tilla muhabete krejt pa lidhje me personin tim.

Kush më njeh, e di fare mirë se s’jam aspak i dhënë pas qejfeve, luksit, restoranteve e lëre pastaj makinave, helikopterëve e avionëve, automjete me të cilat më lidh thjesht puna!

 Pasionet e politikës, artit, librave e filmave, më dalin e teprojnë si kalimtar mbi këtë tokë.

Kush s’më njeh le të mundohet ta marrë me mend se ka edhe kështu në këtë bote të larmishme.”

 

Fraksion.com