Lufta e së ardhmes: Të ndalen robotët vrasës?
Nga Nina Werkhäuser
Robotët mund të vendosin për jetë apo vdekje në luftën e së ardhmes pa dorën e njeriut. Zhvillimi i armëve autonome po ecën me temp të shpejtë. Në Gjenevë po diskutohet sërish për ndalimin e tyre.
Gjithçka science-fiction?
Titulli i filmit me metrazh të shkurtër “Slaughterbots” është klikuar më shumë se dy milionë e gjysmë herë nga publikimi i tij në nëntor 2017. Gjithçka vetëm science fiction, haluçinacione të njerëzve të frikësuar? Në asnjë rast, mendon Thomas Küchenmeister, që angazhohet për ndalimin e sistemeve të armëve autonome. “Hapi deri aty është shumë i vogël”. Küchenmeister është kryetar i “Facing Finance”, një organizate gjermane, pjesëtare e fushatës ndërkombëtare “Stop Killer Robots”. Ai viziton panaire të armëve dhe bisedon me prodhuesit e tyre. Armë me një autonomi të caktuar ka edhe sot, për shembull raketat që kërkojnë në mënyrë të pavarur objektivat e mundshme dhe vendosin vetë, se cilin mund të shkatërrojnë. Kryesisht ato komandohen nga njerëzit, por për sulmin konkret nuk ka ushtarë që jep urdhrin, shpesh ai as nuk mund ta ndalë raketën.
Në konflikt me të drejtën ndërkombëtare
Sipas Küchenmeister kjo është “tejet problematike”. “Një armë e tillë nuk mund të bëjë dallimin mes një automjeti ushtarak apo civil.” Por pikërisht këtë e kërkon e drejta ndërkombëtare, një nga rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare të vlefshme në kohë lufte. Ajo i detyron palët në konflikt për mbrojtjen sa më të mirë të civilëve dhe ndërtesave civile. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i përcakton armët autonome si armë që e kërkojnë vetë, e zgjedhin dhe sulmojnë apo shkatërrojnë vetë një objektiv të caktuar. Pikërisht këtu është problemi, thotë Küchenmeister. Çfarë ndodh, nëse në përzgjedhjen e pavarur kjo armë shkatërron jo vetëm armët kundërshtare por vret edhe civilë? “Ne nuk mund t’i injektojmë këtyre armëve chip-a me të drejtën ndërkombëtare”, thotë eksperti.
Inteligjenca artificiale në industrinë e armëve
Rritja e ndjeshme e shkallës së autonomisë të sistemeve të armatimit ka të bëjë me progresin e shpejtë të inteligjencës artificiale. Ndërkohë makineritë janë të afta të mësojnë dhe përpunojnë përvojat përmes rrjeteve neuronale artificiale si truri njerëzor. Industria e armëve e përdor këtë: Armët bëhen më eficiente, më të shpejta, në një kohë që rreziku për ushtarët ulet. Kjo është pikërisht ajo çfarë kërkojnë ushtritë. Por kufijtë janë të lëvizshëm: Edhe nëse një robot që kërkon në mënyrë të pavarur minat është i pranueshëm, ai robot që kërkon pa kontroll njerëzit, i identifikon dhe qëllon mbi ta është një rast për të drejtën ndërkombëtare.
Por si mund të zbatohet e drejta ndërkombëtare për armë të tilla? Për këtë debatohet në Gjenevë në konferencën për armët autonome mbi bazën e “Konventës Ndërkombëtare të Armëve Konventionale”, ku marrin pjesë më shumë se 70 vende, organizata joqeveritare dhe ekspertë. Fillimisht kur këto bisedime filluan në vitin 2017 ishin informale, por nga viti i kaluar ato janë kthyer në negociata zyrtare. Objekti i diskutimit të konferencës në Gjenevë nga 27-31 gusht janë sistemet vdekjeprurëse të armëve autonome. Bashkësia ndërkombëtare është e ndarë në përkrahës që janë kundër ndalimit të armëve autonome, kundërshtarë të tyre, si edhe vende si Gjermania e Franca që duan të ndjekin një rrugë të mesme.
“Ai sundon botën”
Kundër ndalimit të armëve të tilla argumentojnë vende që investojnë shuma të mëdha për përdorimin ushtarak të inteligjencës artificiale, si SHBA, Izraeli, Rusia dhe Britania e Madhe. Presidenti rus, Vladimir Putin para nxënësve në shtator 2017 u shpreh, se kush është lider në inteligjencën artificiale ai sundon botën. Qeveria amerikane madje i paraqet këto armë në një afond pozitiv. Delegacioni amerikan në takimin e fundit për këtë temë në Gjenevë u shpreh se armë të tilla ndikojnë në më pak viktima civile dhe “dëme kolaterale”. Nëse një ushtar turbullohet nga tërësia e informacioneve në një fushë luftimi, kompjuteri mbetet i fokusuar dhe bën më pak gabime. Amerikanët kërkojnë mosstigmatizimin e sistemeve të armëve autonome.
Ndalimi i armëve autonome
Vetëm 26 vende kërkojnë ndalimin me detyrim të përdorimit të armëve autonome dhe mirëpriten për këtë nga shoqëria civile. Më shumë se 230 organizata dhe 3000 persona civilë kanë nënshkruar një peticion kundër armëve të tilla. Mes tyre edhe kreu i Teslas, dhe lider në fushën e inteligjencës artificiale, Elon Musk. Vendimi për të eliminuar një njeri nuk duhet t’i lihet asnjëherë asnjë kompjuteri.
Gjermania aktualisht nuk e mbështet përhapjen e armëve të tilla. Por të kërkosh direkt ndalimin e tyre, për diplomatët gjermanë është e gabuar, frontet janë shumë ndara. Bashkë me Francën ajo ndjek një rrugë të mesme. Si hap të parë qeveria gjermane kërkon një deklaratë politike, e cila më vonë duhet të mbështetet nga një kod sjelljeje ushtarake dhe në hapin e fundit një marrëveshje ndalimi. Në këtë qëndrim disa hapësh, diplomatët gjermanë shohin një shans për kalimin e diferencave të mëdha.
Koha nuk pret. Diplomatët dhe aktivistët janë të një mendimi. Edhe informaticieni i njohur amerikan, Stuart Rusell, i cili hulumton në këtë fushë prej 35 vitesh dhe kishte idenë për filmin “Slaughterbots”, thote se ende mund të pengohet një skenar i tillë, “por dritarja e kohës po mbyllet shpejt.” Nëse bisedimet e këtyre ditëve në Gjenevë, nuk sjellin sukses, atëherë do të rritet presioni i shoqërisë civile, paralajmëron eksperti Küchenmeister./DW
Fraksion.com