Haradinaj: Nëse idetë për ndryshim të kufijve janë të vërteta, Kosova i ka keq punët
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon ta sfidojë Presidentin Hashim Thaçin në idenë e tij për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë.
Të martën, pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Haradinaj tha se Presidenti nuk ka mandat që të diskutojë për kufijtë e Kosovës.
“Unë besoj që Presidenti po i bën këto deklarata në kuadër të retorikës. Serbia po e kërkon veriun e Kosovës dhe Presidenti po kërkon diç. Mund ta kërkojë Nishin, Luginën e Preshevës. Kjo e Thaçit ashte kundër-retorikë, nëse është ndryshe atëherë kemi probleme serioze në Kosovë”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt, diskutimi për kufijtë “është kthim mbrapa, është humbje”.
“Janë 20 vjet përpjekje të NATO-s për stabilitet… Çdokush duhet ta kuptojë se është duke e rrezikuar stabilitetin në Kosovë e në rajon”, tha ai.
Ai theksoi se askush nuk ka përkrahje as mandat për të biseduar për kufijtë për territorin e Kosovës.
“Ne kemi kufi Kosova i ka kufijtë shumë mirë të shënuar me Serbinë. Diskutimi për kufijtë është kthim mbrapa, është humbje për Kosovën. Janë 20 vite investim të NATO-s. Kjo i ngjason bisedimeve që i kanë bërë ata që i kanë shkaktuar tragjeditë në ish-Jugosllavi”, tha Haradinaj.
Fraksion.com