Dhuna në stadiume, presidenti i Skënderbeut: Të pezullojmë kampionatin
Siguria e brishtë e këtij fillimsezoni në stadiumet shqiptare po kthehet në një problem kryesor për vazhdimësinë e kampionatit.
“Është e pamundur, unë kam paguar 7.5 milionë lekë të vjetra për sigurine në ndeshjen e parë dhe prap ndodhi ajo që ndodhi. Po klubet e tjera me buxhete më të vogla? Po skuadrat e kategorive të tjera që pritet të fillojnë? Unë jam i mendimit që ta pezullojmë kampionatin”, tha Ardjan Takaj.
Ndërkohë që, veç ligjit, Policia e Shtetit ka nxjerrë si problem gjatë ruajtjes së sigurisë në stadiume edhe shpenzimet e shumta. I pyetur nëse klubet do të ishin të gatshme për të caktuar një fond për Policinë e Shtetit, Takaj thotë:
“Shteti shqiptar nuk ka asnjë kontribut në zhvillimin e futbollit. Të vetmin kontribut që ka, është që të garantojë sigurinë”, tha Ardjan Takaj.
Ndërkohë, ka disa qëndrime në lidhje me këtë çështje edhe nga vet protagonistët e Kategorisë Superiore, e cila sapo ka filluar. Veç skuadrave të Kukësit dhe Skënderbeut, edhe skuadra e Laçit është e gatshme për të bojkotuar kampionatin deri në rishikimin e vendimit për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet.
Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarë të Policisë së Shtetit thanë jashtë kamerave se do të zbatohet vetëm ligji, që do të thotë se uniformat blu do të qëndrojnë jashtë stadiumeve, duke ua lënë përgjegjësitë policive private, që duhet të kontraktohen nga klubet.
Fraksion.com