Çavuşoğlu: Politika e jashtme e Turqisë kërkon ekuilibër
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me marrëdhënëniet Turqi-SHBA deklaroi se “Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk janë një alternativë ndaj marrëdhënieve me BE-në apo SHBA-të. Politika e jashtme e Turqisë kërkon ekuilibër”.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Lituani, Çavuşoğlu pas takimit me ministrin e Jashtëm lituanez Linas Linkevicius kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Në pyetjen në lidhje se Turqia në politikën e saj të jashtme është drejtuar nga Rusia, ministri Çavuşoğlu është përgjigjur se “Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk janë një alternativë ndaj marrëdhënieve me BE-në apo SHBA-të. Politika e jashtme e Turqisë kërkon ekuilibër”.
Ai tha se Turqia si një anëtare e NATO-s nuk ka shkelur asnjë vendim të Aleancës, përfshirë edhe vendimet ndaj Rusisë. “Në ditët e sotme shumë vende anëtare të NATO-s i harrojnë ato që kanë ndodhur në Ukrainë dhe Krime, por ne nuk i kemi harruar. Turqia nuk do ta njohë aneksimin e njëanshëm të Krimesë”, tha Çavuşoğlu.
Duke bërë të ditur se Turqia do të vazhdojë të punojë me Rusinë në çështje si ajo e Sirisë, Çavuşoğlu tha se proceset e Soçit dhe të Astanas kanë funksionuar.
Sipas tij, sanksionet e SHBA-ve ndaj Rusisë janë të njëanshme dhe se nuk janë sanksione të vendosura nga OKB-ja.
“Një qeveri (qeveria amerikane) flet diçka në Helsinki rreth Rusisë. Më pas nga presionet që vijnë nga populli i saj dhe administrata e saj në ditët më pas thonë gjëra të tjera. Mos vallë Turqia duhet të ndryshojë pozicionin e saj sipas qëndrimeve të administratës së Washingtonit? Përse duhet të jemi të detyruar të marrim pjesë në sanksionet ndaj një vendi? A e biseduan me ne para se të merrnin vendimin për këtë çështje? Si një vend sovran përse duhet të jemi të detyruar të marrim pjesë në sanksione? Përse nuk morëm pjesë në sanksionet e SHBA-ve ndaj Iranit? Sepse nuk janë të drejta dhe në përputhje. Në të njëjtën kohë ato janë vendim i njëanshëm i një vendi. Turqia nuk është një shtet i SHBA-ve, është një vend i pavarur. Nuk jemi të detyruar të marrim pjesë në çdo vendim jo të drejtë të një vendi ndaj një vendi tjetër. Gjithashtu ne si vend jemi kundër sanksioneve”, theksoi Çavuşoğlu.
Në pyetjen lidhur me takimet në Turqi të një delegacioni nga Kongresi Amerikan, Çavuşoğlu vuri në dukje para së gjithash dialogun mes dy vendeve. Ai tha se edhe vetë sai i ministër i Jashtëm është në anën e diplomacisë dhe dialogut.
“Ardhja e anëtarëve të Kongresit në Turqi është e rëndësishme. Në SHBA ka institucione, pozcione dhe mendime të ndryshme. Ka anëtarë të Kongresit që janë në dijeni të rëndësisë së Turqisë dhe që dëshirojnë forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Turqisë dhe SHBA-ve. Por, sigurisht që ka edhe grupe që janë helmuar për shkak të FETO-s dhe i ka helmuar FETO”, tha Çavuşoğlu i cili ka bërë të ditur se Turqia po tregon shumë përpjekje për zgjidhjen e problemeve aktuale mes dy vendeve.
“A mund të na japë siguri SHBA-ja për shitjen e sistemeve raketore Patriot? Madje, edhe në çështjen e avionëve F-35 përpiqen të kërcënojnë duke vendosur kushte të ndryshme. Por, ne e kemi thelbësore sigurinë e mbrojtjes ajrore. Sepse tek të gjithë ndodhen raketa dhe ne jemi të detyruar që të marrim sistemin tonë të mbrojtjes ajrore në kundërpërgjigje të këtyre raketave. Kjo për ne nuk është një preferencë, por një detyrë. Kjo duhet të kuptohet. Ne madje bëjmë edhe prodhim të përbashkët për avionët F-35, sepse ky është një projekt shumëpalësh ku edhe Turqia është pjesë e kësaj. Sigurisht që do të ketë një kundërmasë nëse ata sillen si në filmat kauboj ‘unë bëj çfarë të dua‘”, tha në fjalën e tij Çavuşoğlu.
Më tej ministri Çavuşoğlu ka nënvizuar se Turqia dëshiron që me SHBA-në të ulet dhe të bisedojë, t’i zgjidhin problemet në mënyrë të barabartë dhe të vazhdojnë rrugën sepse “punët nuk ecin vetëm me presionin dhe imponimin e një pale”.
Në kuadër të takimit mes qeverive të Republikës së Turqisë dhe Lituanisë është nënshkruar marrëveshja për “inkurajimin e ndërsjellë dhe mbrojtjen e investimeve”./AA
Fraksion.com