AktualitetLife StyleTë fundit

100 vjet nga regjistrimi i gruas së parë në Marinën Amerikane

Ushtria amerikane ka kaluar transformime të shumta gjatë shekullit të fundit dhe shumë prej këtyre transformimeve kanë pasur në qendër angazhimin e gruas në forcat e armatosura. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Stella Hu mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një ekspozite që dëshmon rolin e gruas në forcat e Marinës. Ceremonia u zhvillua në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Përmendores që nderon gratë që kanë shërbyer në forcat e armatosura:

Këto muaj mbushen 100 vjet që kur 39-vjeçarja Opha May Johnson u bë e para grua që u fut në radhët e Marinës Amerikane. Në atë kohë gratë ende nuk kishin fituar të drejtën e votës, por daktilografistja e aftë u mobilizua për Marinën për të çliruar nga detyra një burrë, që ai të mund të shkonte në frontin e Luftës I Botërore.

100 vjet më pas, tani gratë mund të votojnë dhe të luftojnë. Sot 14 mijë gra shërbejnë në radhët e Marinës duke përfaqësuar 8% të kësaj arme në të gjitha rolet e mundshme:

“100 vjet më parë gratë kishin rolet e daktilografisteve dhe sekretareve. Tani kemi oficere në këmbësori. Kemi dëshmuar se mund të përmbushim të gjitha rolet. Mendoj se këto fitore vënë para përgjegjësisë udhëheqjen dhe gratë e tjera që i bashkohen Marinës Amerikane që të vazhdojnë t’i mbajnë rrugët e hapura për gruan,” tha Majorja e Forcave Rezervë të Marinës, Justine Davie.

Gjeneral-Lejtnante Loretta Reynolds ka parë ndryshime të mëdha në radhët e Marinës që kur u regjistrua në 1986. Në atë kohë gratë nuk mund të bëheshin pilote apo të shërbenin në anijet e Marinës.

“Marina është arma që siguron mbrojtjen ujore dhe ne gratë nuk lejoheshim në anije. Tani nuk ka më pengesa, nuk ka kufizime. Çdo gjë është arritur falë aftësisë së grave që shërbyen para nesh”.

Gjeneral-Lejtnantja Reynolds ka shërbyer si zëvendës komandante për informimin, ku përfshihet kibernetika, sinjalet e zbulimit dhe lufta elektronike.

Në Marinë sukseset e grave nuk duken vetëm tek gradat. Veterania japonezo-amerikane, Yuki Minami vendosi të futet në Marinë në 2009 për të shërbyer si shembull për gratë aziatike.

“Më vjen mirë kur shoh marinset e reja. Shoh në radhët e tyre një larmi që nuk e kishim kur fillova unë. Më duket sikur po shoh shpalosjen e historisë, nga dje, në sot e në të ardhmen”.

Megjithëse dyert për karrierë ushtarake në radhët e Marinës janë të hapura sot për gratë, ende mbetet punë e vështirë përpara:

“Mendoj se çelësi është është t’u japim këtyre grave gjithë mbështetjen që u nevojitet, t’u ofrojmë stërvitjen e duhur. Suksesi varet nga udhëheqja e duhur, nga aftësia e duhur fizike, nga gatishmëria. Kushdo që i përmbush këto kërkesa duhet të vihet në krye,” thotë Gjeneral-Lejtnantja Loretta Reynolds.

 

Fraksion.com