Senatori John McCain do të mbahet mend për guximin dhe patriotizmin
Senatori John McCain do të mbahet mend për guximin, patriotizmin dhe shërbimin ndaj vendit të tij. Ai u nda nga jeta të shtunën, pas një beteje me kancerin në tru.
President Donald Trump shkroi një tweet, “I dërgoj ngushëllimet mija më të thella familjes së Senatorit McCain. Jemi pranë me zemër dhe lutemi për ju!”.
Ekipi i zotit Trump më vonë bëri një deklaratë, ku ofroheshin ngushëllime dhe u bëhej thirrje të gjithë amerikanëve “të shfrytëzojnë rastin për ta kujtuar dhe për t’u lutur për Senatorin McCain dhe për familjen e tij në këtë ditë të trishtueshme”.
Shtëpia e Bardhë e uli flamurin amerikan në gjysëm shtize në respekt të zotit McCain.
Reagime nga ish presidentë
Ish Presidenti Barack Obama dhe zonja e tij Michelle Obama i dërguan përmes një deklarate “ngushëllime nga zemra” bashkëshortes së zotit McCain, Cindy dhe familjes së tyre.
Zoti Obama, i cili ishte rival me zotin McCain në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës dhe i fitoi ato, shkruante se “pavarësisht se i përkisnim brezave të ndryshëm dhe besonim në politika të ndryshme, ne të dy kishim një vizion për vendin tonë, si vendi i mundësive të pafund.”
Ish Presidenti Bill Clinton and ish senatorja demokrate Hillary Clinton, e cila e kishte koleg në Senat zotin McCain, thanë përmes një deklarate se “ai shpesh i linte mënjanë ndarjet partiake, për të bërë atë që mendonte se ishte më e mira për vendin dhe nuk kishte kurrë frikë të vepronte kundër rrymës për një çështje të drejtë.”