Durrës, Haradinaj: Kufijtë nuk lëvizin; Rama shmang komentet
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj theksoi edhe njëherë në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit të kryeministrave të rajonit në Durrës se kufijtë nuk lëvizin, duke konfirmuar qëndrimin kundër presidentit Hashim Thaçi.
“Dua të them diçka për kufijtë se është folur shumë këto kohë. Kosova i ka kufijtë e vetë, i ka me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë… Nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet ti respektojmë këta kufij”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, Komisioneri Johanes Hahn, i pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e kufijve, ka thënë se çdo marrëveshje dypalëshe mes vendeve duhet të jetë e tillë që të mos rrezikojë stabilitetin e rajonit.
“Mendoj që nuk është e përshtatshme në këtë fazë të bëjnë komente lidhur me diskutimet dhe negociatat. Takimi javën e ardhshme në Bruksel do jetë tjetër takim dhe sigurisht do kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje e për rrjedhojë nuk dua të bëj asnjë koment përveç atij që siç është parashtruar në strategjinë tonë për Ballkanin. Ne nuk pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk kanë zgjidhur marrëveshjet dy palëshe. Ajo që ka vlerë është stabiliteti i rajonit. Çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë rajonin. Cilido të jetë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar sërish të komentojë lidhur me këtë çështje. Por, ai u përgjigj shkurtimisht se “opinioni im është ai që tha Komisioneri”.
Fraksion.com