Turqit janë pengje në garën ndërmjet Erdogan dhe Trump
Andrew Brunson mund të jetë i burgosuri më i shtrenjtë në botë, shkruan The Economist. Kanë kaluar vetëm pak javë që kur Amerika vendosi sanksione ndaj zyrtarëve turq përgjegjës për arrestimin e pastorit amerikan, të cilat u reflektuan në rënien e lirës turke në nivelin e saj më të ulët dhe në rritjen e mundësive për ta çuar vendin në prag të një krize të madhe borxhi.
Qeveria e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan gjerësisht besohet se e ka mbajtur Brunson pas hekurave për akuza terroriste që nga viti 2016, me shpresën e marrjes së koncesioneve nga Uashingtoni. Por me aq sa po shohim deri më tani, ka qenë vetë Turqia ajo që po e paguan në kurriz çmimin e kësaj situate.
E megjithatë, z. Erdogan duket se nuk ka ndër mend ta rikthejë vendimin dhe ta ndryshojë situatën. Lideri i Turqisë jo vetëm që nuk ka ndër mend të rregullojë marrëdhëniet me Amerikën, por madje ka rritur edhe tarifat ndaj saj. Më 15 gusht, kur kishte kaluar më pak se një javë pasi Presidenti amerikan po aq impulsiv, Donald Trump, dyfishoi tarifat për çelikun dhe produktet e aluminit turk, homologu i tij, Erdogan i bëri thirrje popullit për të bojkotuar mallrat elektronike nga Amerika. Një ditë më pas, ai vendosi rritje të tarifave deri në 140%, mbi produktet amerikane të importuara, si makinat, duhani, alkooli dhe produktet kozmetike.
Sipas Erdogan, për sa i përket rënies së lirës turke duhen fajësuar vetëm forcat e jashtme. “Këto janë plumbat, topat dhe raketat e një lufte ekonomike kundër vendit tonë”, tha ai në një fjalim, duke iu referuar dollarit, euros dhe arit. Në një fjalim tjetër, ai paralajmëroi se Amerika po rrezikonte të humbiste një aleat të NATO-s, vetëm e vetëm për të liruar një pastor amerikan. Trump, nga ana tjetër, nënshkroi një projektligj për të vonuar dërgimin e avionëve amerikanë F-35 në Turqi, në përgjigje të blerjes së fundit të Turqisë të një sistemi raketor mbrojtës nga Rusia. Ajo që Turqia duhet të bëjë për të shpëtuar lirën dhe për të rimëkëmbur ekonominë është mjaft e qartë, shprehen analistët dhe investitorët. Erdogan duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Amerikën dhe t’i lejojë Bankës Qendrore të rrisë normat e interesit dhe të ndërmarrë një sërë reformash të domosdoshme.
Përveç këtyre, Turqia duhet të zgjidhë edhe borxhin e lartë në valutë të huaj, që shkon rreth 220 miliardë dollarë dhe që po peshon kryesisht në sektorin e korporatave. Të shumta janë kompanitë të cilat po përballen me frikën e një falimentimi të mundshëm, veçanërisht, ato në industrinë e ndërtimit dhe energjetikës, shprehet ekonomisti Refet Gurkaynak. Qeveria duhet të ndërmarrë sa më parë të jetë e mundur masa për të shpëtuar ato kompani që ia vlen të shpëtohen dhe të lërë të falimentojnë ato ndaj të cilave nuk mund të bëhet më asgjë, tha ai më tej.
Shpërblimi është gabimi
Qeveria e Presidentit turk Erdogan ka ndërmarrë me vonesë disa hapa shumë të rëndësishëm për të frenuar rënien e lirës, duke përjashtuar kontrollet e kapitalit dhe kufizimin e transaksioneve të këmbimit për të mbrojtur monedhën vendase. Ndërkohë Banka Qendrore ka ndërmarrë hapa për të shtrënguar ofertën e parasë. Monedha ka arritur të mbulojë disa prej humbjeve të saj, por vazhdon të mbetet poshtë rreth 40% kundrejt dollarit amerikan, që nga fillimi i këtij viti. Më 15 gusht ajo mori një nxitje shumë të madhe, datë kur Katari, një aleat rajonal njoftoi se do të investonte rreth 15 miliardë dollarë amerikanë në Turqi.
Por trazirat ekonomike në vend, kanë filluar prej kohësh, madje përpara se të nisnin edhe mosmarrëveshjet me Amerikën. Për vite me radhë, z. Erdogan i ka detyruar bankat të mbajnë normat e interesit në nivele të ulëta. Kreditë e kompanive në monedhë të huaj po rriteshin, lira ra dhe inflacioni arriti në 15 për qind. Teksa shpenzimet rriteshin, edhe deficiti i llogarisë korente u rrit. “Nëse nuk do të kishte qenë si pasojë e një keqmenaxhimi të rëndë të ekonomisë, problemi me SHBA-në nuk do kishte arritur deri në këtë pikë”, thotë z. Gurkaynak.
“Kjo është një krizë e shkaktuar nga ne vete, brenda vendit tonë”, vazhdon ai. E megjithatë, të shumtë janë turqit që besojnë se të huajt janë ata që duhet të fajësohen. Që nga dekada e kaluar, autoriteti i Erdogan është rritur më shumë, duke shtypur protestat antiqeveritare, duke zgjeruar pushtetin dhe duke iu përgjigjur një grushti të dështuar për rrëzimin e shtetit në 2016 me spastrime dhe me arrestime masive. Duke përdorur kërcënimet dhe duke blerë disa prej manjatëve më të mëdhenj dhe duke i kthyer ata pro qeverisë, ai ia ka dalë që të fitojë një kontroll të plotë mbi shtypin në vend. Situata me Trump mund t’ia ketë lehtësuar punën Erdogan dhe Turqisë së tij për t’ia hedhur fajin Perëndimit. Presidenti turk ka kërcënuar të hakmerret duke kërkuar “aleanca të reja”. Turqia është anëtare e NATO-s dhe pjesën më të madhe të armëve ajo e merr nga vendet e tjera anëtare.
Por nëse do, ajo mund të blejë më shumë armë nga Rusia dhe t’i ofrojë asaj më shumë ndihmë (dhe njëkohësisht më shumë dhimbje koke amerikanëve) në Siri. Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, shkoi për një vizitë në Stamboll javën e kaluar. Edhe njoftimi i fundit i bërë nga Katari në lidhje me investimet në Turqi, është një tjetër faktor tregues i seriozitetit me të cilin Erdogan e ka marrë çështjen e sponsorëve të rinj. Ministrat turq kanë folur edhe për investime të mundshme kineze. Por partneri më i madh tregtar i Turqisë mbetet Bashkimi Europian. Çuditërisht, marrëdhëniet me Europën janë përmirësuar.
Angela Merkel ka befasuar me deklaratën e saj me një ton shumë të qetë, ku këmbëngulte në dëshirën e saj dhe të të gjithë Europës për të parë një Turqi të begatë. Tensionet gjermane-turke thuajse janë shuar fare gjatë këtij viti, pasi qeveria turke ka liruar pothuajse të gjithë shtetasit gjermanë të arrestuar pas marrjes pjesë në grushtin e shtetit të 2016. Trump ka zgjedhur gjithnjë që të luftojë me antagonistë dhe këtu mund të përmendim edhe rastin e Kim Jong Un të Koresë së Veriut. Por fatkeqësisht në këtë rast, si pasojë e një lufte për ego ndërmjet dy presidentëve impulsivë, po mbahen peng interesat e 80 milionë turqve./Monitor
Fraksion.com