Hetim pasurive të Begos: Krimet e Rënda nisin verifikimet pas akuzave të politikës
Pas debateve politike dhe vendimit të Greqisë për ta liruar nga qelia, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror ndaj Edmond Begos.
Ende nuk bëhet e ditur se cili është qëllimi i nismës së marrë së fundmi por mësohet se hetimi ka nisur kryesisht për dyshimet se ka përfituar fonde publike dhe nëse pasuritë apo bizneset që zotëron kanë lidhje me veprat penale për të cilat është dënuar.
Burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se hetimi përfshin rrethin familjar dhe shoqëror të tij si dhe gjithë personat e tjerë me të cilët ka pasur marrëdhënie kontraktuale apo biznesi.
Bego u ndalua rreth një javë më parë në shtetin grek me pretendimin se ndaj tij kishte një urdhër ndalimi nga shteti italian.
Pas verifikimeve, rezultoi se ndaj biznesmenit shqiptar nuk kishte asnjë kërkesë të tillë.
Ndërsa opozita akuzoi mazhorancën se po favorizonte Begon me tendera dhe se nuk kishte marrë masa për ta ndaluar më parë.
Pas lirimit nga shteti grek, avokati i Begos tha për Ora News se PD ndërmori një sulm politik ndaj klientit të tij.
Ai shtoi se Bego e përfundoi dënimin në kohën kur PD ishte në pushtet.
Madje ka qenë Ministria e Drejtësisë së qeverisë Berisha që ka njoftuar shtetin italian për shlyerjen e dënimit.
Fraksion.com