AktualitetTë fundit

Shqipëria do marrë 20 refugjatë, Italia vlerëson vendimin: Shenjë solidariteti dhe miqësie

Shqipëria është shprehur e gatshme për të pritur 20 prej emigrantëve që janë bllokuar në një anije në Itali.

Këtë gjë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili në një status në twitter shprehet se Shqipëria është e gatshme t’i japë një dorë Italisë.

Ne nuk mund ta zëvendësojmë Evropën, por ne jemi gjithmonë këtu, në anën tjetër të detit ku dikur ne po vuanin ditë e natë në det, duke pritur që Evropa të zgjohet! Dje, Italia na shpëtoi, sot ne jemi gati për t’i dhënë një dorë.”

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Enzo Moavero Milanesi falënderoi  Shqipërinë për vendimin për të mirëpritur 20 refugjatë nga anija Diciotti.

“Një shenjë e solidaritetit të madh dhe miqësie shumë të vlerësuar nga Italia”

Ndërkohë Italia është përfshirë në një debat të ashpër me BE, duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare në përballimin e krizës së emigrantëve. Por teksa debatet dhe replikat shtohen situata e 150 klandestinëve që qëndrojnë prerj 10 ditësh në anijen e ankoruar në brigjet italiane bëhet alarmante. Pas lajmit se shumë prej tyre janë me zgjebe zyra e shëndetësisë në Katania ka kërkuar zbritjen e menjëhershme në tokë të 16 emigrantëve. Shkak është bërë dyshimi se ishin me tuberkuloz.  Mes emigrantëve që kanë marrë ndihmën mjekësore janë 11 gra dhe 5 burra. Tashmë në anijë kanë mbetur dhe 134 persona.

190 emigrantë janë shpëtuar nga mbytja në det të hapur në mesnatën e 15 gushtit. Pas mbërritjes në port u pranua të zbrisnin vetëm 13 prej tyre të cilët ishin në gjendje të keqe shëndetësore. Më pas me një vendim të posaçëm u pranua të strehoheshin dhe 27 prej tyre, ku përfshiheshin vetëm minorenët e pashoqëruar. Ndërkaq tashmë është zyra e shëndetësisë që ka kërkuar që të zbarkonin dhe të prekurit me tuberkuloz.

Ndërkaq Italia për të lejuar zbritjen në tokë të klandestinëve ka vendosur si kusht shpërndarjen në të gjithë territorin e BE. Por kjo deklaratë është konsideruar si presion prej unionit dhe si qëndrim i papranueshëm. Por dhe kjo përgjigje nuk e ka qetësuar qeverinë italiane. Madje zëvendëskryeministri Di Maio nënvizon se janë gati dhe për të ndërprrë fondet për BE. “Ne nuk duam ta bëjmë këtë, por mos na i vini këmbët në kokë”, u shpreh ai.

Fraksion.com