Raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi më 7 shtator
Zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të shtunën se ajo do të ndërmjetësojë takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 7 shtator.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës.
Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë, ndërsa shprehu bindjen se këtë nuk do ta kundërshtojë as Bashkimi Evropian, nëse palët merren vesh.
Më 13 gusht, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që është shprehur edhe nga Britania e Madhe.
Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.
Të shtunën në Austri, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut, ku do të diskutohet për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimorë.
Fraksion.com