Djegia e çerdheve në Tiranë, Veliaj opozitës: Mos inkurajo zjarrvënien
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas zjarrit në dy prej çerdheve të kryeqytetit, duke folur mbi këtë ngjarje.
Sipas Veliajt, bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për minimizimin e pasojave, si dhe ka trajnuar stafet e të gjitha çerdheve në raste të rënies së zjarreve.
Veliaj ka falenderuar edhe zjarrfikësit e Tiranës, të cilët kanë bërë një punë mjaft profesionale në eleminimin e shpejtë të pasojave nga zjarret.
Jo vetëm zonat urbane, por edhe fshatrat e Tiranës do të kenë kënde rekreative ku mund të gjejnë çlodhje dhe argëtim për fëmijët. Bashkia e Tiranës ka shtrirë projektin “Luaj Tirana” edhe në zonat rurale dhe i pari që ka përfituar nga ky projekt është Njësia Dajt. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje pasdite në hapjen e këtij këndi, ndërsa u ndal edhe në rastet e fundit të vënies së zjarrit të qëllimshëm në dy çerdhe dhe kazanët e plehrave në kryeqytet, duke theksuar se pavarësisht qëllimit të autorëve, e rëndësishme është mbrojtja e punëve publike dhe mbështetja për zjarrfikësit.
“Ka edhe nga ata, që shyqyr Zotit janë pakica, të cilët thonë ku të gjejmë arsye për të bërë sherr, ku ta gjejmë një zjarr që ka vënë dikush që të themi poshtë qeveria, poshtë bashkia! Kjo nuk është normale! Qyteti duhet të ecë përpara dhe nëse një vandal i vë zjarrin një çerdheje, një kopshti, një këndi lojërash apo një kazani plehrash, minimumi që duhet të bëjmë është të jemi të gjithë bashkë për të ruajtur pronën publike, për t’i dhënë kurajo zjarrfikësve, që i fikin zjarret në pak sekonda, për t’i dhënë kurajo policisë, e cila duhet të gjejë kush janë këta që terrorizojnë qytetin me zjarr. Unë nuk besoj kurrë se opozita ka dorë, por sigurisht ndihem keq kur opozita bëhet me zjarrvënësit, jo me zjarrfikësit. Kjo është për të ardhur keq”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh i vetëdijshëm se me afrimin e fushatës së zgjedhjeve të ardhshme vendore lufta politike do të ashpërsohet, por kërkoi prej opozitës që të mos bëjë politikë me fëmijët dhe me njerëzit që punojnë çdo ditë për të ndryshuar qytetin. Ai theksoi se ata që nuk ndërtuan asnjë çerdhe dhe asnjë kopsht për 4 vjet nuk duhet të bëhen me zjarrvënësit por duhet të mbështesin zjarrfikësit. “Ata që nuk ndërtuan asnjë çerdhe, asnjë kopsht, asnjë shkollë të re, 4 vjet që kishin Tiranën nuk ngulën një gozhdë, sigurisht që do përdorin çdo mjet, por mund të bëhen aleatë me ata që duan një kryetar tjetër, mund të bëhen aleatë me ata që kanë bindje të tjera, por nuk mund të bëhen aleatë me ata që i vënë zjarrin Tiranës, se kjo i diskrediton dhe është për turp.
Dua të siguroj të gjithë ata që kanë fëmijët e tyre në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës; mbaj mend se tre vite më parë çerdhet e kopshtet ishin si biruca, madje ishin më poshtë, ishin më të rrënuara se shumica e burgjeve të Shqipërisë, dhe thashë: ku po i çojmë fëmijët!? Sot, falë shumë prej donatorëve, çerdhet e kopshtet e Tiranës janë model. Pra, unë nuk e di kush janë arsyet e rrugaçëve që vënë zjarr në punët publike në Tiranës, megjithatë mos e dhëntë Zoti kurrë që të mendoj se këtu ka dorë opozita, se në fund të fundit, janë me pushime në Hollandë, se kur s’bënë 4 vjet shkolla, kopshte, çerdhe, nuk do i prishin pushimet për të bërë këto punë”,- tha ai.
Veliaj shtoi se për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për të dëmtuar çerdhet, kopshtet apo shkollat, Bashkia e Tiranës ka marrë disa masa shtesë. “Kemi shtuar rojet e Policisë Bashkiake, si dhe rojet e kontraktuara në çerdhe, kopshte e shkolla këtë vit. Do të shtojmë po ashtu pajisjet me kamera, sistemet e alarmit. I kemi trajnuar anëtarët e stafit në të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat për çdo situatë me zjarret, ndaj i bëj thirrje opozitës, bëhu me njerëzit e punës, bëhu me njerëzit e mirë, bëhu me qytetarët, mos hap panik, mos u bëj me rrugaçët, me vandalët, mos inkurajo zjarrvënien, inkurajo zjarrfikësit, ata që shërbejnë, ata që punojnë, ata që e duan qytetin”,- shtoi ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se pavarësisht këtyre përpjekjeve për të penguar zhvillimin e Tiranës, Bashkia e Tiranës do të vijojë të punojë me të njëjtin ritëm edhe në këtë vit të katërt të këtij mandati. “Kemi qenë njerëz të punës, jemi shquar për punën. Po ta mbajmë edhe këtë vit të fundit fokusin tek puna, puna do na nxjerrë në dritë; llafet, llogjet, sharjet, mallkimet, zjarret i kemi provuar në Shqipëri, s’na ka ecur. Kur kemi punuar, kur kemi qenë të bashkuar, qyteti ka ecur përpara. Mezi pres ta çojmë Tiranën përpara dhe në këtë vit të fundit, kur fokusin e kemi tek periferitë, këtë model që kemi krijuar këtu sot në Dajt, ta çojmë edhe në vende të tjera”,- u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se qëllimi është që nën shembullin e këtij bashkëpunimi të vijohet edhe me fshatrat e tjera të Tiranës, për të krijuar oaze lojërash për fëmijët dhe hapësira çlodhëse për banorët. “Nëse gjejmë cepa të vegjël, njerëz që ofrojnë tokën, bamirës që na ndihmojnë me infrastrukturën, më pas me ndërmarrjet tona mund të bëjmë këtë që po bëjmë këtu në Dajt”,- tha ai./mapo.al
Fraksion.com