AktualitetBota+Të fundit

Trump sulmon përsëri Prokurorin e Përgjithshëm Sessions

Presidenti Donald Trump e kritikoi sërish Prokurorin e Përgjithshëm Sessions një ditë pasi ky i fundit ndërmori një hap jo të zakontë, duke iu përgjigjur kritikave të presidentit.

Në një postim në tweeter, të premten në mëngjes, zoti Trump ironizonte një deklaratë të lëshuar të enjten nga zoti Sessions, ku Sessions thoshte se “sa kohë që ai do të jetë Prokuror i Përgjithshëm, veprimet e Departamentit të Drejtësisë nuk do të ndikohen nga gjykimet politike”.

Ndërkaq Presidenti Trump i drejtohej Prokurorit të Përgjithshëm me kërkesën për të hetuar korrupsionin edhe në anën tjetër, duke përmendur ato që ai i cilëson shembuj të një shfaqjeje të padrejtë, si emailet e fshira të Hillary Clinton-it, ato që i quante si gënjeshtra nga ana e ish-drejtorit të FBI-së James Comey si dhe atë që presidenti Trump e cilësonte si konflikt interesi që ka prekur Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller i cili po heton lidhjet e mundshme të njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Në një tjetër postim, në tweeter zoti Trump listonte edhe më shumë çështje që sipas tij zoti Sessions duhet të hetonte, përfshirë një dosje që siç tha kishte detaje të ndyra rreth zotit Trump.

Mardhëniet mes Presidentit Trump dhe Prokurorit të Përgjithshëm Sessions u acaruan kur ky i fundit vendosi të heqë dorë nga mbikqyrja e hetimit që po kryhet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Zoti Trump i ka bërë disa herë thirrje zotit Sessions të ndërhyjë për t’i dhënë fund hetimit, të cilin e cilëson një gjueti shtrigash.

 

Fraksion.com