Serbia synon t’ia marrë Kosovës “Kulmin e Ballkanit”
Pika më strategjike e vëzhgimit në Ballkan ndodhet brenda territorit të Kosovës. Fakti se ajo është vetëm qindra metra larg kufirit me Serbinë, ka bërë që fqinji verior ta nisë mësymjen për ta përvetësuar, kurdo që bëhet demarkimi ndërmjet të dyja vendeve.
Bëhet fjalë për majën e bjeshkës së Kopaonikut, Pançiq, e cila ndodhet në lartësinë mbidetare 2017 metra. Ajo mundëson vëzhgimin në drejtim të Lindjes së Mesme dhe të Mesdheut. Ka qenë pika kryesore e vëzhgimit në gjithë ish-Jugosllavinë dhe kjo pikë ka përbërë qendrën ushtarake telekomunikuese, në të cilën ka pasur të vendosur edhe radarë me rreze të gjata veprimi për nevojat e ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Po kështu, edhe radarë për kontrollin e fluturimeve. Në të njëjtin vend ka qenë edhe transmetuesi televiziv, qendra telekomunikuese dhe qendra meteorologjike. Kompleksi përmban shumë dhoma operative e tunele, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pikërisht për shkak të pozitës që ka pasur, ky ishte caku i parë i bombardimit nga NATO-ja, kur intervenoi ushtarakisht në ish-Jugosllavi, gjatë përpjekjes për t’i penguar mizoritë që regjimi i Slobodan Milosheviqit atëkohë i kryente kundër shqiptarëve të Kosovës.
Fraksion.com