AktualitetTë fundit

Sekuestro e 1 milionë euro pasuri: Llalla, rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish- kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestrimin e pasurisë së tij.

Dokumenti është depozituar nga avokati i tij Sokol Hazizaj pranë organit gjykues para disa ditësh, dhe lajmi bëhet i ditur nga vetë Gjykata e Lartë. Në kërkesë ai kërkon heqjen e sekuestros.

Ish kryeprokurori pretendon se bazuar në nenin 6 të Konventës Evropiane, është zhvilluar proces i parregullt ligjor. Më 9 gusht, gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda vendosi që pasuria e tij të vijojë të mbetet në sekuestro.

Avokati kërkon dhe njehësimin e praktikës, por nga ana tjetër burime për Top Channel, sipas gazetares Anila Hoxha thonë se Gjykata e Lartë nuk mund të shprehet për këtë çështje, pasi nuk ka trupa të mjaftueshme për këtë.

Përsa kohë në Gjykatën e Lartë kanë mbetur katër gjyqtarë që janë Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj, Medi Bici dhe Ardian Ddvorani , aktualisht po shqyrton çështjet emergjente. Gjyqtarët që kanë ngelur nga vettingu janë në punë edhe gjatë verës për të shqyrtuar çështjet me afate . Por në daten 22 gusht, Gjykata e Lartë nuk mundi të mblidhej për Kolegjin Penal, prej të cilit ka mbetur vetëm një gjyqtar që është Edmond Islamaj.

Por Islamaj më 22 gusht nuk u paraqit në punë për shkaqe familjare, dhe për këtë ishte e pamundur të shqyrtoheshin disa kërkesa penale, dhe kjo sipas gazetares Anila Hoxha për aq kohë sa vetëm ky gjyqtar mund të kërkojë gjyqtarë borxh nga gjyqtarët e lartë të mbetur për të formuar kolegjin penal.

Burimet shpjegojnë se në datën 22 gusht u mblodhën vetëm dy kolegje, administrative dhe civile, të cilat sërish u plotësuan me minimumin e tyre prej 3 anëtarësh, duke i marrë borxh nga njëra- tjetra. Aktualisht burimet e Top Channel thonë se stoku i dosjeve që presin është 26.800 çështje.

Më 9 gusht vendimi për pasurinë e Llallës, u dha nga Idriz Mulkurti, në një kohë që ish-kryeprokurori është kthyer në Shqipëri, ndërsa avokati i tij është larguar me pushime jashtë vendit.
Gjyqtari i gatshëm, të cilit i kishte rënë shorti për shqyrtimin e kësaj çështjeje, kërkoi asistencën e një avokati kryesisht, për të cilin ka qenë e vështirë të gjendet, për sa kohë shumica e avokatëve që gjenden në listën e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë gjithashtu me pushime.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.
Dorëheqja e tij solli në fakt edhe ndërprerjen e vettingut, që u bë gjithashtu shkak për të hapur një seancë dëgjimore, nëse duhej apo jo të ndërpritej vettingu, e sigurisht në këtë pikë ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla fitoi.

 

Fraksion.com