AktualitetTë fundit

Shqipëria e gjashta në botë për konsumin e cigareve

Shqipëria renditet vendi i gjashtë në botë për konsum të lartë të cigareve për frymë. Sipas të dhënave të publikuara nga tobaccoatlas.org, konsumi i cigareve për personat mbi 16 vjeç ishte 2,492 fije për person për vitin 2016, duke u renditur kështu ndër vendet me konsumin më të lartë në botë. Në Ballkanin Perëndimor konsumin më të lartë të cigareve, ku një person mbi 16 vjeç pi mesatarisht në një vit mbi 2000 cigare është Maqedonia dhe në vend të dytë Shqipëria.

Sipas tobaccoatlas.org konsumin më të ulët të cigares në rajon e ka Mali i Zi me 1101 cigare. Më pas renditet Bosnje dhe Hercegovina ku konsumi i cigares është 1767, e ndjekur nga Serbia me 1899 cigare.

Në të gjithë botën është përllogaritur se janë konsumuar rreth 5.7 trilionë  cigare. Edhe pse konsumi ka rënë lehtë në vitet e fundit, ecuria e kësaj industrie është e pasigurt. Pavarësisht angazhimit të industrisë së duhanit për të pasur një shoqëri që konsumon sa më pak atë, në disa prej shteteve të botës vijon të bëhen fushata marketingu, ndërsa rënia e konsumit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Brazil, lidhet me implementimin e ligjeve të forta për të reduktuar konsumin e tij.

Sipas analizës së kryer nga tobaccoatlas.org. konsumi i cigareve parashikohet me rritje në shumë prej vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme si pasojë e zhvillimeve dinamike ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të popullsisë.

Vendet me konsumin më të lartë në botë

Vendi me konsumin më të lartë të cigares në botë është Andorra, ku sipas të dhënave konsumi i cigares për popullsinë mbi 16 vjeç në 2016 ishte 6398 cigare, pasuar nga Luksemburgu me një konsum prej 6330 cigare.

Më pas me një diferencë të konsiderueshme, renditet Bjellorusia ku konsumi i cigareve për frymë sipas të dhënave të tobbacoatlas.org llogaritet 2911 cigare.

Ndërsa vendet afrikane dhe një pjesë e vendeve të Amerikës Latine janë ato që kanë konsumin më të ulët, sikurse vërehet edhe nga harta.  

 

Fraksion.com